TIRANË- Tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e Kaskadës së Devollit, që parashikon ndërtimin e tri hidrocentraleve do të hapet muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Deklarata është bërë nga kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë. Sipas tij, ky do të jetë padyshim projekti më i madh privat në këto 20 vite.
“Ka përfunduar gjithçka dhe gjatë muajve të parë të vitit që vjen ne hapim tenderët e fillimit të punimeve. Natyrisht kjo është vepra më komplekse, më madhore e ndërtuar ndonjëherë në vend, që bazohet në dhjetëra km tunele dhe ka investimin më të madh”- tha ai.
Berisha ka deklaruar se në takimet e tij për këtë problem është rënë dakord që qeveria të nisë vitin e ardhshëm ndërtimin e rrugës dhe qytetarët e Gramshit të kenë të gatshme rrugën e re që i sjell drejt Tiranës para se të ndodhë përmbytja e rrugës së vjetër.
“Do të jetë 18 km dhe rruga më panoramike e rajonit”- tha Berisha, duke shtuar se projekti për Kaskadën është i pakthyeshëm.
“E them këtë që të marrin qetësi skeptikët, që këtë projekt e kanë vështruar me skepticizëm, por faktikisht shpejt kjo ëndërr do të bëhet realitet”- tha ai.
© Panorama.al











