
KORÇE – Arrestohet për korrupsion oficeri i Policisë Kufitare në doganën e Kapshticës. Klitisa Pupa, 31 vjeç, u vu në pranga nga kolegët e tij, pas hetimit disamujor të kryer nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Sipas burimeve të policisë bëhet e ditur se Pupa, me detyrë shef turni në Kapshticë dhe me gradë nënkomisar, duke shfrytëzuar postin, ka përfituar nga drejtuesit e automjeteve. Dyshimet mbi aktivitetin e 31-vjeçarit kanë rënë në vesh të oficerëve të SHKB-së, të cilët nisën hetimet për të provuar të dhënat. Prej gjashtë muajsh, veprimtaria e Pupës u vu nën verifikim të plotë. Gjatë kësaj kohe është mësuar se oficeri ndalonte në pikën kufitare kryesisht autobusët me pasagjerë dhe u krijonte vonesa në kalimin nga Shqipëria në Greqi e anasjellas. Për të siguruar shmangien e radhëve dhe shpejtësi për kalimin e kufirit, oficeri i kufirit përfitonte nga drejtuesit shuma nga 20-30 euro. Pas dhënies së ryshfetit, sipas burimeve të Ministrisë së Brendshme, punonjësi i policisë u garantonte shpejtësi në procedura për të kaluar në anën tjetër të kufirit. Oficerët e SHKB-së kanë marrë një sërë denoncimesh, dhe së fundi, edhe drejtuesit e pasagjerët e linjave të Selanikut dhe Athinës, të cilët kanë konfirmuar rastin e korrupsionit. Në këto kushte, oficerit të Policisë Kufitare i janë vënë prangat. Klitisa Pupa, banor i qytetit të Korçës ishte caktuar në detyrën e shefit të turnit në doganën e Kapshticës prej rreth 2 vitesh. Por, sipas policisë, në gjashtë muajt e fundit kanë ardhur sinjalet për abuzimet e tij gjatë kryerjes së detyrës. Ndaj 31-vjeçarit rëndon akuza e korrupsionit.
6 muaj
më parë nisën dyshimet mbi aktivitetin e nënkomisarit të kufirit të Kapshticës, pas ankesave të drejtuesve të automjeteve. Pas gjetjes se provave, SHKB
kreu arrestimin e Pupës











