Operacioni për bllokimin e një sasie prej 150 kilogramësh drogë është mbyllur dje me arrestimin e gjashtë personave, sekuestrimin e 150 kilogramëve bimë narkotike dhe me plagosjen e një të dyshuari pas shkëmbimit të zjarrit me policinë. Aksioni i policisë është zhvilluar në rrugën që lidh autostradën Tiranë-Durrës me Aeroportin e Rinasit dhe gjatë ndjekjes policore ka pasur edhe shkëmbim zjarri. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur një prej të dyshuarve si trafikant, 21-vjeçari Oligert Musta, i cili drejtonte makinën tip “Mitsubishi Pajero” me targë TR 4310 K, ku ndodhej edhe një pjesë e sasisë së bimës narkotike. “Eskorta” e trafikantëve përbëhej gjithsej nga tri makina, ku në secilën prej tyre ishin shpërndarë thasët me hashash. Sipas burimeve nga Policia, gjatë aksionit u sekuestruan në total 19 thasë të mbushura me Cannabis sativa, me një sasi prej 150 kilogramësh. Policia e Tiranës tha dje se janë arrestuar: Oligert Musta, nga Kurbini, Arjan, Gazmir dhe Alitn Saka, nga Kruja, Muharrem Zalla nga Fushë-Kruja dhe Klodian Lami nga Tirana. Ndërsa momenti i shkëmbimit të zjarrit mes forcave operacionale të policisë dhe trafikantëve që lëviznin me shpejtësi me 3 automjete ka nisur pasi personat që ndodheshin në makinën tip “Mitsubishi” kanë diktuar policinë që ishte vënë në ndjekje të tyre. Burime nga Policia thanë se gjatë udhëtimit në rrugë dytësore të fshatit Ndërmjetas, drejtuesi i mjetit “Mitsubishi”, Olgert Musta, ka qëlluar me pistoletë në drejtim të automjeteve të policisë, të cilët ishin në ndjekje për ndalur dhe kapur tri automjetet. “Gjatë zhvillimit të këtij operacioni, shtetasit e lartpërmendur nuk u janë bindur thirrjeve të policisë për të ndalur, duke shkëmbyer zjarr në drejtim të forcave të policisë, ku këto të fundit, me synim ndaljen e automjeteve, kanë qëlluar në drejtim të gomave, duke plagosur kështu në pjesën e këmbës drejtuesin e automjetit ‘Mitsubishi’, shtetasin Olgert Musta, i cili aktualisht po merr mjekim në spital”, thuhet zyrtarisht në njoftimin e Policisë së Tiranës. Sipas burimeve zyrtare të Policisë mësohet se personat e arrestuar janë pjesë e linjës së shpërndarjes me shumicë dhe tregtimit në Tiranë të bimës narkotike, e cila kultivohej në Krujë dhe destinacioni ishte Tirana. Ndërsa mësohet se një tjetër operacion, gjatë të cilit janë arrestuar edhe 6 persona të tjerë dhe janë sekuestruar 300 gramë hashash, është kryer pranë “Profarmës” në Tiranë. Të arrestuarit janë Engert Alla, Euglen Thimjo, Gledis Hoxha, Ildi Mahmuti, Ledio Velo dhe Sokol Balili.
150 KILOGRAME
lëndë narkotike është bllokuar nga policia gjatë arrestimit të gjashtë personave. Sipas Policisë, lënda narkotike ishte marrë në zonën e Krujës dhe Fushë-Krujës, pasi ishte kultivuar në fshatra.
Të arrestuarit
* Oligert Baftjar Musta, 21 vjeç, banues në Mamurras
* Arjan Gjin Saka, 21 vjeç, banues në Tiranë
* Gazmir Lekë Saka, 23 vjeç, banues në Thumanë, Krujë
* Altin Nike Saka, 32 vjeç, lindur e banues në Thumanë
* Muharrem Sefulla Zalla, 36 vjeç, lindur e banues në Fushë-Krujë
* Klodian Isa Lami, 21 vjeç, banues në Shesh të Pezës, Tiranë
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











