Kaos në Greqi, përgjaken policë dhe protestues

Oct 6, 2011 | 12:05

Greqia u paralizua nga greva kombëtare 24-orëshe e nëpunësve civilë dhe qytetarëve të munduar, të cilët kanë frenuar transportin publik dhe institucionet qeveritare për të protestuar kundër masave më të egra të kursimit. Politikat fiskale duken të paefektshme, pasi janë miratuar disa herë paketa me masa të ashpra kursimi, që gjithashtu janë pasuar nga grevat. Edhe vetë nëpunës të Ministrisë së Financave janë të paqartë mbi atë që po ndodh. “Askush nuk e di atë që po ndodh, çdo ditë ata thonë diçka ndryshe. Është gjithçka e paqartë”, është shprehur për “Time”  Irini Arapogiani, nëpunëse e Ministrisë së Financave. Protesta u kthye në një arenë përleshjesh mes protestuesve dhe Policisë. Të paktën 16,000 protestues u mblodhën në qendër të Athinës dhe rreth 10,000 të tjerë u mblodhën në qytetin verior të Selanikut, duke hedhur slogane, duke u rënë daulleve dhe duke u fryrë bilbilave. Pjesa më e madhe e protestuesve ishin paqësorë, por dhjetëra prej tyre kanë hedhur gurë drejt ndërtesës së Parlamentit dhe shishe molotovësh drejt policëve, ku disa prej tyre kanë luftuar për të shuar flakët. Një burrë bridhte në shesh gjysmë i zhveshur dhe i gjakosur në kokë. Greva e djeshme ishte e para pas sezonit të pushimeve dhe erdhi pas vendimit të qeverisë për një buxhet me paga dhe pensione akoma më të tkurrura dhe shkurtime drastike në stafin shtetëror, ku deri brenda këtij viti do të ikin nga puna 30 mijë nëpunës. Ato që funksionuan dje në Greqi, ishin vetëm spitalet, me staf sigurie. Zemërimi popullor  kundër vendimeve të qeverisë është i madh. Ministri i Brendshëm grek, Haris Kastanidhis, tha se qeveria greke po planifikon mbajtjen e një referendumi popullor mbi krizën, ku do të merret opinioni i popullit mbi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme ose konsensus politik për zbatimin e masave financiare.

16 per qind
ka shkuar papunësia në Greqi këtë vit dhe pritet të rritet akoma më shumë, me shkurtimet drastike në sektorin shtetëror dhe shkurtimet në sektorin privat pas rritjes së taksave

Ulet vlerësimi për Italinë
Vlerësimi i kreditimit për Italinë është ulur dje nga agjencia Moody’s, pasi u vlerësua se kriza në eurozonë kërcënon të shtohet në një spirale të pakontrolluar. Vlerësimi i bonove italiane u ul nga vlerësimi Aa2 në A2, tri pikë më pak, por kjo me paralajmërimin se gjendja nuk duket aspak optimiste për të ardhmen. Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, konsideroi se rënia e vlerësimit ishte e pritshme dhe se Italia do të bëjë gjithçka për t’u rikuperuar.

© Panorama.al

Te lidhura