Kaos me emërtimet e reja të rrugëve në Vlorë, çorientohen qytetarët

Oct 5, 2011 | 12:45
Gjatë vendosjes së tabelave të rrugëve në Vlorë

VLORE – Ngatërresa të shumta në vendosjen e tabelave të emërtimeve të adresave të reja në rrugët e qytetit të Vlorës. Ditët e fundit, me financimet e qeverisë shqiptare, një prej firmave private ka filluar vendosjen e tabelave të emrave të rrugëve të qytetit, si dhe të lagjeve. Ky proces i domosdoshëm po çorienton qytetarët e Vlorës, sepse shumë prej emrave të rrugëve janë vendosur gabim, ndërsa të tjerë janë shënuar pa lidhje me historikun e zonës. Në disa prej tyre janë vendosur emra të njëjtë, ndërsa emërtimet në rrugë të tjera të drejtojnë gabim. Kjo ishte situata e djeshme në qytet, ku emërtimet e dikurshme të rrugëve janë shpërbërë totalisht. Një situatë e tillë është në lagjen “Varrosh”, rruga e dikurshme “Lef Sallata”, e cila tashmë ka marrë emrin e një prifti, Kozma Qirjo. Edhe në lagjen “Lirim” emërtimet e rrugëve nuk u përshtatën aspak atyre të dikurshme, të emërtuara me të tjerë emra. Kështu, rruga “Petrit Bisha” ka marrë emrin “Qeriba Koka”. Paradoksi më i madh është ai në rrugën “Kosova”, emri i së cilës u vendos nga vetë kryebashkiaku Shpëtim Gjika në ditën e pavarësisë së Kosovës. Edhe kjo rrugë tashmë emërtohet ndryshe. Qytetaret e Vlorës thonë se ndihen konfuzë, pasi nuk dinë ç’emër të deklarojnë nëpër institucione në postë apo qoftë për të pritur a dërguar një letër të thjeshtë. Emrat e rinj dhe të vendosur gabimisht po ndikojnë negativisht edhe për anëtarët e grupeve të regjistrimit të popullsisë, pasi familjet nuk dinë se si ta emërtojnë zonën ku banojnë. Problem i ngritur nga këta banorë janë dhe emërtimet që kanë në faturat e bankave, postës dhe ato të energjisë së ujit dhe të telefonisë fikse e celulare. Madje, edhe Rruga Transballkanike, e quajtur e tille prej 70 vjetësh, tanimë mban emrin Gjergj Kastrioti. Burime nga Bashkia shprehen se emërtimet e rrugëve i kanë miratuar dhe në Këshillin Bashkiak para disa kohësh, por firma që ka fituar tenderin për vendosjen e tabelave të emërtimeve të rrugëve, ka bërë gabime në vendosjen e tabelave, duke i ngatërruar ato me emërtime të rrugëve të tjera e çorientuar banorët e Vlorës. Bashkia i ka kërkuar firmës zbatuese të rikuperojë sa më shpejt gabimet e bëra. “Ne i kemi dhënë Ministrisë përkatëse emërtimet e reja në bazë edhe të fotografimit dixhital”, shprehen përfaqësues të Bashkisë së Vlorës. Sipas tyre, Bashkia nuk ka përgjegjësi në këtë proces, por ka ngatërresa të firmës private.                       q.b

© Panorama.al

Te lidhura