
Kërcënoi në sallën e gjyqit trupin gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, arrestohet 24-vjeçari. Ngjarja ndodhi dje në Gjykatën e Vlorës, kur një të riu që ishte ndjekur në gjendje të lirë për armëmbajtje dhe posedim të lëndëve narkotike, iu komunikua vendimi. Trupi gjykues, pasi kishte shqyrtuar provat e paraqitura nga Prokuroria, vendosi dje të shpallë fajtor Klejvis Gjahtarin dhe dënimin e tij me 8 vite burg. Kjo masë dënimi duket se ka qenë e papritur për të riun, i cili gjatë të gjithë seancave gjyqësore kishte qenë i pranishëm në sallë duke mos tentuar t’i largohej përgjegjësisë penale, nga e cila më pas do të vijonin problemet me policinë e drejtësinë. Në momentin që trupi gjykues lexoi vendimin, Gjahtari reagoi në sallë duke fyer gjyqtarët. Më pas, ai i kërcënoi ata, duke pretenduar se masa e dënimit ishte e padrejtë. Gjatë këtij incidenti ndodheshin të pranishëm vetëm gjyqtarët, pasi sipas rregullores, në rastet kur personat ndiqen në gjendje të lirë, nuk është e pranishme policia në sallë. Pasi ka fyer e kanosur gjyqtarët për hakmarrje ndaj këtij vendimi të cilësuar të padrejtë, i riu ka dalë nga salla e gjyqit. Në këto kushte, trupi gjykues, por edhe shërbimet e gjykatës, njoftuan policisë e Vlorës për ngjarjen e ndodhur në sallën e gjyqit. Blutë e vlerësuan njoftimin e dhënë dhe u vunë menjëherë në lëvizje për kapjen e personit. Vetëm disa minuta më pas, policia arriti të prangosë 24-vjeçarin në lagjen “Pavarësia”, pak metra larg banesës së tij. “Ky shtetas ka fyer e kanosur trupin gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë në sallën e gjyqit, pas dhënies së vendimit në ngarkim të tij, i cili e dënonte me 8 vjet burg për armëmbajtje pa leje dhe posedim narkotikësh. Ai u arrestua për veprat penale “kanosje e gjyqtarit” dhe “fyerje e gjyqtarit”, parashikuar nga nenet 317 dhe 318 të Kodit Penal”, bëri të ditur Policia e Vlorës. Pas vendimit në Shkallën e Parë, çdo të dënuari i lihet afati i apelimit. Arrestimi (në rastet kur gjykohet në gjendje të lirë) kryhet në momentin kur merret vendimi i formës së prerë në Gjykatën e Apelit.
Gjyqtari Konomi, atentat në mes të Vlorës
Kërcënimet e të pandehurit kanë vënë në alarm trupën gjykuese, e cila ka nisur të vlerësojë çdo incident apo kanosje, sidomos pas ngjarjes së rëndë që ndodhi gjatë kësaj vere, ku kolegu i tyre gjyqtar, Skerdilajd Konomi, gjeti vdekjen pas një atentati me lëndë plasëse në mes të qytetit të Vlorës
PËRMBARUESI
Dhunuan shefin e Përmbarimit të Lushnjës, në pranga dy vëllezër. Ngjarja ka ndodhur rreth dy muaj më parë, ku Jetmir Kumria, 25 vjeç, dhe Besmir Kumria, 29 vjeç nga fshati Kryekuq, kanë goditur me grushte shefin e Përmbarimit, shtetasin E.M. Prokuroria kishte nxjerrë urdhër-ndalimin për veprat “kundërshtim të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “plagosje e lehtë me dashje”. Shefi i Përmbarimit kishte shkuar që të komunikonte një ekzekutim vendimi për një truall.
ISH-KOMUNARI
Policia e Lushnjës ka shpallur në kërkim ish-kreun e komunës Dushk, Bashkim Kadiu. Nga të dhënat paraprake mësohet se Kadiu ka kërcënuar me armë punonjësit e Inspektoratit Ndërtimor dhe kreun e këtij institucioni, Q.S. Ish-kryekomunari ka pasur një debat për një mur të ngritur pa leje, të cilin ndërtimorët do ta shembnin. Kadiu ishte përfaqësues i PD-së në zgjedhjet e 2007-s dhe arriti të marrë mandatin e kreut të komunës Dushk, detyrë që e la në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011.











