Kandidatët për stolin, nga Hasi te serbi Ljupkoviç

Oct 13, 2011 | 13:18
Nga ndeshja Shqipëri-Rumani 1-1

Federata Shqiptare e Futbollit është vënë në kërkim të nj trajneri të ri dhe lista e kandidatëve është në rritje progresive. Megjithatë, burime pranë FSHF-së bëjnë të ditur se mundësitë për një trajner shqiptar janë reale dhe se emri më i lakuar është ai i Besnik Hasit. Ish-mesfushori i Kombëtares, aktualisht është zv/trajner i Anderlehtit prej tri sezonesh dhe shihet si një njeri me personalitetin e duhur për të futur në shinat e duhura një ekip, që së fundmi ka marrë vetëm rezultate zhgënjyese në ndeshjet zyrtare. Nëse Duka vendos që të emërojë trajner shqiptar, atëherë plani është që në krye të stolit kuqezi të jenë tre emra të rëndësishëm të ekipit përfaqësues gjatë dy dekadave të fundit. Bëhet fjalë për Besnik Hasin si trajner të parë, Foto Strakoshën si zëvendës të tij dhe Alban Bushin si drejtor teknik të ekipit përfaqësues. Në pamje të parë mund të duket një gjetje interesante, por nuk përjashtohet mundësia që kjo të jetë edhe një “shashkë” e dalë nga zyrtarët e Federatës, me qëllim që të testojnë situatën. Me përjashtim të faktit se asnjëri prej tre ish-lojtarëve të përfaqësueses nuk ka qenë ndonjëherë trajner i parë i ndonjë skuadre, problemi tjetër është edhe fakti se raporti mes këtyre të treve kur kanë qenë futbollistë nuk ka qenë ideal, aq sa shpesh ishte folur edhe për klane në ambientin kuqezi. Trajneri i huaj mbetet alternativa më e parapëlqyer e Dukës, edhe pse ky u ka hapur dritën jeshile emrave shqiptarë. Ndër emrat që përfliten së fundmi, janë ata të Leo Benhakerit, Ljubko Petroviçit dhe Ad de Mos. Holandezi Benhaker ka qenë një objektiv i FSHF-së që para emërimit të Ari Hanit tri vite më parë, por në fund Duka zgjodhi holandezin tjetër. Aktualisht 69-vjeçari është drejtor sportiv i klubit të Ujpeshtit, ndërkohë që në të kaluarën ka drejtuar Ajaksin, Realin e Madridit, Fejnordin, Kombëtaren e Holandës dhe shumë ekipe të tjera. Ad de Mos, një tjetër holandez është në listën e të preferuarve. Ish-trajneri i Ajaksit, PSV-së, Verder Bremenit, Viteshes, Kavallës etj., mbetet një opsion për të hyrë në negociata. 64-vjeçari është i papunë që prej vitit 2010, kur u largua nga Sparta e Roterdamit. I fundit, por një nga trajnerët e parapëlqyer të Dukës, është serbo-boshnjaku Ljupko Petroviç. 64-vjeçari aktualisht është trajneri i Lokomotivës së Zagrebit (ku luan edhe Sabien Lilaj) dhe shquhet si një takticien i mirë, por edhe si një njeri me karakter të fortë. Duka tentoi të hynte të bisedime me të para se të sillte Kuzhen, por pasi testoi opinionin, u tërhoq për faktin se një serb mund të mos mirëpritej në krye të Kombëtares shqiptare. Petroviç ka fituar Ligën e Kampioneve në vitin 1991 me Crvena Zvezdën. Ndërkohë, në listën e preferencave është edhe holandezi Ervin Kuman, ndërkohë që ish-kapiteni Rudi Vata është vetofruar për stolin kuqezi.

© Panorama.al

Te lidhura