Kanceri i gjirit, nëse kapet në kohë 80% e pacienteve shërohen

Oct 8, 2011 | 12:06

“Bëj kontrollin, shpëto jetën, shpëto familjen’. Me këtë slogan   qindra qytetarë të kryeqytetit kanë marshuar dje në mënyrë simbolike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.Gjithçka në kuadër të fushatës sensibilizuese për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të tumoreve. Çdo vit në vendin tonë zbulohen 5000 raste të reja me kancer. Prej tyre, rreth 450 raste janë tumore të gjirit, i pari për vdekshmërinë te femrat. Nga sa pohojnë mjekët,  70 për qind e pacientëve humbin jetën për shkak se nuk diagnostikojnë në kohë sëmundjen. “Zbulimet e deritanishme kanë treguar se nëse kanceri i gjirit do të zbulohet dhe mjekohet kur madhësia e tij është më e vogël se 1 cm, shërimi i sëmundjes ndodh në më shumë se 80 për qind të rasteve”, tha Shahin Kadare, onkolog. Në Shqipëri edhe pse janë shtuar aparaturat për diagnostikimin e tumoreve, interesi dhe kultura e qytetarëve janë të ulëta. “Që të fitosh një betejë duhet të dish pikat e dobëta të armikut, dhe kanceri ka një pikë të dobët që për momentin është pikërisht zbulimi i hershëm i tij. Në fazat e tij foshnjore ai është i paaftë të na bëjë dëm. Jemi ne fitimtarët”, u shpreh Adelina Mazdreku, onkologe. Parada sensibilizuese u organizua nën kujdesin e kryetares së kuvendit Jozefina Topalli. “Nëse të paktën 1 ditë në 6 muaj ne shkojmë te mjeku për diagnostikimin, për mamografinë, jeta është e shpëtuar”, u shpreh Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit. Thirrje sensibilizuese, veç mjekëve, u bënë edhe nga personalitete të tjera. “Për ne gratë familja është dicka e shtrenjtë e cmuar, dhe nuk do donim kurrë që me sëmundjen tonë t’u krijonim dhimbje, prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshme të kontrollojmë vetveten”, tha Liri Berisha, presidentja e fondacionit “Fëmijët shqiptarë”.

© Panorama.al

Te lidhura