Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Arben Ristani, ka komentuar primaret, duke thënë se në fillim ka qenë skeptik për to, ndërsa shtoi se “ka qenë këmbëngulja e Berishës dhe sot jam i bindur që ka patur vizionin që të rregullohen me statut dhe të zhvillohen.”

Ai tha në emisionin Open në News24 se asnjë parti tjetër nuk ka forma të ushtrimeve demokratike siç i ka PD.
Lidhur me kritikët që thonë se në fund vendos Sali Berisha se cilët do të jenë kandidatët e PD-së në listën e zgjedhjeve të 11 majit, Ristani tha: “Roli i kryetarit është ndikues, por në fund fare votojnë organet drejtuese të PD-së”.
Ristani: Primaret janë një ushtrim demokratike. Ne si parti kemi tentuar ta zhvillojmë si proces, por këtë herë për herë të parë është rregulluar në statut. Kam patur fatin te jem bashkautor në statut. Kam qenë skeptik për primaret, por ka qenë këmbëngulja e Berishës dhe sot jam i bindur që ka patur vizionin që të rregullohen me statut dhe të zhvillohen.
Pranoj se është një ushtrim demokratik që duhet të zhvillohet duke u vënë në praktikë. Ndoshta do të arrijë deri te sistemi amerikan, që e ka të hapur për publikun. Ajo që është për të theksuar se asnjë parti tjetër nuk ka forma të ushtrimeve demokratike siç i kemi neve.
Primaret do të jenë kualifikuese. Ata që do të jenë më të votuarit, do të bëhen pjesë e shqyrtimit. Kriteri i parë është vota e demokratëve, pastaj kur të shqyrtohet nga organet drejtuese të PD, ata që do të kenë marrë kualifikimin, do të spikaten ata që kanë dhënë kontributin më të madh.
© Panorama.al











