“Ju ka bërë Luli të gjithë analfabet aritmetik”- Rama për kritikët: Thoni se të gjithë ministrat i ke në burg, por ju them numërojini mirë! Sa të jetë PS, gjykatësit dhe prokurorët…

Feb 26, 2025 | 9:53

Kreu i qeverisë Edi Rama para grupit parlamentar të PS, ku foli edhe Rektori i Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku tha se prokurorët dhe gjykatësit do të jenë të pavarur përsa kohe PS do të jetë në pushtet.

Rama tha se “i kemi vënë në dispozicion trupin tonë, organizmin e PS sallës së operacioneve kundër korrupsionit”, por theksoi se nuk mund të jenë shurdh memecë.

“Kjo parti nuk merr rolin e gjykatës, as të prokurorisë. Sa të jetë kjo parti gjykatësit dhe prokurorët të bëjnë punën e tyre të pavarur. Por ne nuk jemi  shurdh memecë e thashë edhe njëherë, i kemi vënë në dispozicion trupin tonë, organizmin e PS sallës së operacioneve kundër korrupsionit, të vazhdojnë nuk ka probleme”. u shpreh Rama.

Po ashtu ai u ktheu përgjigje edhe kritikëve që thone se “i ke te gjithe ministrat ne burg”.

“Atyre që thonë ia futën të gjithë ministrat në burg i them numërojeni mirë se jeni të gjithë… ju ka bërë të gjithë Luli analfabet aritmetik. 12 vjet në qeveri, 60 e ca ministra, 2 janë nga mandati i parë të dënuar, një tjetër është akoma në paraburgim, pa gjyq, por është i fajshëm apo i pafajshëm e vendos gjykata dhe një tjetër është në arrati. Mund të ishin edhe të tjerë, por gjithçka që ndodh është vepër e kësaj force këtu. Nëse sot ka një luftë frontale për të forcuar drejtësinë për ta bërë të pavarur dhe evropiane dhe nëse sot erdhi dita të na tregojnë në se ca është drejtësia e pavarur, kjo është vepra jone”, tha kryeministri.

© Panorama.al

Te lidhura