Edhe pse e dinte se po vdiste, Steve Jobs ka punuar prej më shumë se një viti mbi produkte që ai besonte se do të ruanin të ardhmen e kompanisë “Apple”. Dje u zbulua se Steve Jobs ka luftuar shumë dhe ia ka arritur të aprovojë planet për zyra të reja të kompanisë, në formën e një anijeje kozmike, në Kaliforni. Ndërtesa do të jetë e madhe mjaftueshëm sa për të mbajtur 12000 nëpunës në një bazë ekzistuese të ngjashme me një park në Kupertino. Jobs ishte edhe duke vëzhguar zhvillimin e projektit të vonuar “iCloud”, i cili do t’u lejojë përdoruesve të “Apple” të magazinojnë muzikat, fotot dhe dokumente të tjera që nga larg dhe të organizohen me versionet e fundit të “iPod”, “iPad”, “iPhone” dhe “MacBooks”, duke siguruar të paktën katër vite të tjera me produkte të reja, sipas burimeve nga “Apple”. Porositë e parapaguara për biografinë e tij janë të panumërueshme. Sipas përshkrimeve zyrtare, libri i cili do të publikohet më 24 tetor, bazuar në 40 intervista me Jobs të kryera gjatë dy viteve, si dhe intervistat me më shumë se 100 anëtarë të familjes, miq, kundërshtarë, konkurrentë dhe kolegë. Firma këshilluese e markave “Interbrand” ka parashikuar që vlera e “Apple”, pas vdekjes së Steve Jobs mund të rritet nga 670 milionë dollarë në 33.5 miliardë, pasi fansat bëjnë blerje simpatie dhe impulsi. Jobs vdiq të mërkurën në moshën 56-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin në pankreas. Pak minuta pas konfirmimit të vdekjes së tij, mijëra njerëz në të gjithë botën e kanë nderuar atë. Edhe dje, mijëra vazhduan të mblidhen në zonat e dedikuara për Jobs nga Kalifornia në Londër, Sidnej dhe Tokio, Japoni.











