Jo tokën bujqësore për panele diellore!

Sep 26, 2025 | 8:25

NGA EDMOND PANARITI edmond panariti

Në emër të tranzicionit energjetik, Shqipëria po rrezikon një pasuri më themelore se energjia vetë: tokën bujqësore pjellore. Impiantet fotovoltaike po shtrihen mbi sipërfaqe, që për dekada kanë ushqyer familje, kanë mbajtur gjallë eksportin dhe kanë garantuar stabilitet rural. Ky është një konflikt strategjik midis sigurisë ushqimore dhe ambicieve energjetike, që kërkon ndërhyrje urgjente. Përfitimi energjetik është real, por nuk justifikon humbjen e tokës që na ushqen. Shqipëria ka mjaft zona kodrinore, toka të degraduara dhe sipërfaqe të urbanizuara që mund të shfrytëzohen pa cenuar bujqësinë.

Si duhet penguar: Ndryshimet ligjore të domosdoshme

1. Ndryshim në Ligjin për Tokën Bujqësore.

– Ndalim i përdorimit të tokave të klasës I– IV për impiante energjetike.

– Riklasifikim i tokave me bonitet të lartë si “zona të mbrojtura për siguri ushqimore”.

2. Zonim energjetik i detyrueshëm.

– Impiantet lejohen vetëm në toka të klasës VII–VIII, kodra, ose zona të degraduara.

– Hartëzonim kombëtar i tokës dhe energjisë me transparencë publike.

3. Revokim i lejeve ekzistuese

– Lejet që nuk kanë filluar zbatimin anulohen brenda 90 ditëve.

– Çdo projekt që prek tokë pjellore konsiderohet në kundërshtim me interesin publik.

4. Sanksione të forta.

– Gjobë deri në 10 milionë lekë për subjektin investues.

– Revokim i lejes dhe rikthim i tokës në gjendjen fillestare.

– Përgjegjësi penale për zyrtarët që miratojnë projekte në kundërshtim me ligjin.

Përfundim: Dielli nuk ha bukë

Energjia e pastër është e domosdoshme, por nuk duhet të vijë në kurriz të bukës së përditshme. Tokat pjellore janë pasuri kombëtare, jo terren për betonizim strategjik. Shqipëria ka mundësi të bëhet lider në energji të gjelbër pa shkatërruar themelet e bujqësisë. Nëse nuk veprojmë tani, do të importojmë energji dhe ushqim, duke humbur dy shtylla të sovranitetit kombëtar.

Autori, ish-ministër i Bujqësisë

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura