Jeta postmoderne dhe vlera e “njeriut të pasur”

Oct 16, 2025 | 8:02

gezim tushiGËZIM TUSHI

Nuk është e qartë deri në fund, se cilat janë arsyet objektive apo subjektive që herë pas here në shoqëri shfaqet një vale urrejtjeje sociale dhe kontestimi egalitarist shoqëruar me emocione e ndjenja fobike ndaj pasurisë së tjetrit dhe rolit të njeriut të pasur në shoqërinë sonë demokratike. Duke e analizuar këtë dukuri sociale, jo krejt pa peshë dhe influencë në jetën publike, me siguri që janë komplekse shkaqet. Po ashtu, edhe motivet sociale e personale të këtij qëndrimi. Nëse bëjmë një operacion të saktë dhe diagnostikim të kësaj dukuri, kuptojmë se një pjesë e arsyeve janë objektive, dhe burojnë nga fakti që një pjesë e njerëzve të pasur janë pasuruar në rrugë të padrejta, madje edhe kriminale. Ndonjëri edhe duke u favorizuar nga klientelizmi politik. Në këtë rast, qëndrimi kontestues deri në kufijtë e urrejtjes sociale për element të kësaj shtrese të re është evident dhe fare i ligjshëm. Por në anën tjetër, është i pranishëm një valë e rrëshqitshmeje urrejtje ziliqare, egoiste e shoqëruar me fobi për njeriun e pasur, një ndjenjë retrograde, paralizuese që ushqehet në mënyrë recidiviste nga influenca e faktit, që kemi jetuar në një shoqëri pa stratifikim social dhe që vijmë nga një jetë egalitariste (barazitare) në varfëri, pa praninë e kësaj shtrese të borgjezisë së re. Të dyja janë tendenca sociale retrograde, penguese në rrugën e zhvillimit të ekonomisë dhe demokracisë. Një shoqëri që akoma ka alergji sa herë që mund të përmendësh nominalisht termat “borgjezi” apo kapitalizëm, ka akoma iluzione për këtë fenomen të shtresëzimit horizontal dhe vertikal të shoqërisë shqiptare.

Në këto kushte, qëndrimi fobik e anatemues për këtë shtresë të re të kapitalistëve të rinj, duke i parë ata me “syzet marksiste”, si njerëz që shfrytëzojnë apo pasurohen në kurriz të të tjerëve, që paragjykohen nga që akoma në mënyrë arkaike dhe brenda konceptit të thjeshtëzuar për “pasurinë” dhe “njeriun e pasur”, sipas të cilave nuk ka rrugë tjetër për pasurim, përveçse abuzimit, korrupsionit dhe vjedhjes. Duke nënvleftësuar guximin, vendosmërinë dhe rolin social të kësaj shtrese në shoqëri, pa të cilën teorikisht dhe praktikisht nuk mund të ketë demokraci, thonë politologët. Realiteti i zhvillimeve në vendet me demokraci të konsoliduar, në të cilat kjo shtresë ka vendin e vet, të nderuar dhe të respektuar, brenda realiteteve kontekstuale të shtratifikimit social, në të cilën çdo shtresë ka vendin e vet. Qëndrimet negativiste apo ekstremiste ndaj kësaj shtrese janë të mbarsura me ide absurde të shoqëruara me qëndrime gati populiste, që për arsye të ndryshme sociale apo të personalizuara mbajmë ndaj njerëzve të pasur. Kjo është arsyeja pse raportet tona me pasurinë dhe njerëzit e pasur, (shqip borgjezinë e re) herë pas here nuk janë normale, kompatibile me kohën dhe frymën e demokracisë liberale.

Është fjala për një frymë sociale joutilitare të zilisë dhe xhelozisë, që disa njerëz në mënyrë të padrejtë, ushqejnë për njerëzit e pasur (borgjezinë e re shqiptare), sidomos për sasinë dhe madhësinë e pasurisë së tyre. Sipas mendimit tim, kjo situatë mund të konsiderohet si patologji kalimtare, e natyrshme për shoqërinë tonë, e cila vetëm pak kohë ka që është shkëputur nga “këneta e qelbur” e barazitarizmit. Pak kohë kemi që jemi shkëputur dhe kemi dalë nga “balta” sociale (tri dekada e gjysmë janë pak për të transformuar inercinë e mentalitetit shoqëror egalitarist), kulturën antihumane dhe kundër demokratike, të njeriut që ndihet mirë dhe është i lumtur duke qenë në jetën “gri”, të barabartë e pa diferencime pasurore. Shumë koncepte thelbësore e ide teorike determinante, shpesh përdoren si slogane demokratike apo parime të ekonomisë liberale të tregut, por që nuk e kanë efektin formues, për të bërë të qartë se shoqëria shqiptare është demokratike, ligjërisht e barabartë në shanse, por kurrë e barabartë në mundësi e pasuri. Në këtë kontekst, edhe pse akoma “pelerina e varfërisë” dhe polarizimi social, janë dukuri evidente, kjo nuk duhet të na pengojë të korrigjojmë shumë paradigma të trashëguara nga kultura e vjetër sociale, në mënyrë që të mësojmë se demokracia, liria dhe qytetërimi modern, nuk funksionojnë nëse nuk pranojmë me bindje nevojën e ekzistencës së diferencimit të ligjshëm pasuror, hierarkisë ekonomikisht dhe stratifikisht të diversifikuar. Por, jo vetëm midis qytetarëve, por shpesh për qëllime pragmatike apo llogari elektorale, këto konceptime abuzive, të ngurta paradigmatike, ndihen në fushatat zgjedhore, ku populizmi egalitarist përdoret si “magnet elektoral”. Të gjitha këto arsye të marra së bashku, janë shkaku se përse raporti me “borgjezinë” e re, shtresën e njerëzve të pasur, nuk është gjithnjë normal dhe i ekuilibruar, sepse në politikë shumë herë nuk flitet hapur dhe në mënyrë të tërthortë për qëllime të caktuara shpesh përhapen dhe ushqehen “valët e egalitarizmit” dhe për pasojë nxitet kultura retrograde e “unitetit në barazi”, të urrejtjes civile ndaj pasurisë dhe njerëzve të pasur (borgjezisë së re shqiptare). Natyrisht është fjala për ata, që pasurinë e kanë bërë me zotësi, aftësi e punë të ndershme.

Nuk mendoj se i bëjmë mirë shoqërisë, duke goditur përfaqësuesit e kësaj shtrese. Përkundrazi, pa gënjeshtra e nanurisje sociale, është mirë që njerëzve, sidomos atyre që janë të varfër apo jetojnë me shpresën e “dorës sociale” të shtetit, t’u themi të vërtetën, se kjo shoqëri funksionon pikërisht sepse në thelbin e saj është e tillë. Ajo nuk ofron barazi në pasuri, ngaqë secili në raport me pasurinë është i “veshur me uniformën e vet”, luan rolin që di të bëjë dhe fiton atë që i takon. Nuk është normale që shumë shpesh për qëllime politike apo nisur nga frymëzime utopike e supersociale të imagjinuara, të krijojmë iluzione të dimensioneve të pamundura të shtetit social, në mënyrë direkte apo të tërthortë të nxitim artificialisht “ziliqarët e pasurisë”. Kjo patologji është lehtësisht e mundshme për t’u përhapur në kushtet tona, kur kemi shumë qytetarë, që përballen me rreziqet ekzistenciale të varfërisë, apo që si forcë punëtore e ndjenë veten keq që “varen nga të pasurit”. Ka ardhur momenti të ndryshojmë qëndrimin, kulturën sociale. Sidomos për të kuptuar drejt dhe interpretuar saktë, lidhjet që ekzistojnë midis pasurisë, efikasitetit të kontributit dhe të vërtetës së krijimit të saj. Padyshim ky është kusht për ndërtimin e qytetërimit tonë integral. Qytetari që kupton demokracinë, të vërtetat e ekonomisë së tregut si kusht ekonomik për lirinë, nuk mund të ketë zili për ata që kanë epërsi pasurore me meritë, që atë e kanë vendosur me statusin e njohur të zotësisë së tyre. Ky është mentalitet retrograde, që mund të dëmtojë seriozisht ekonominë, stabilitetin social, stratifikimin pasuror të shoqërisë, të ardhmen demokratike të qytetërimit tonë. Sepse universalisht nuk mund të ketë demokraci pa ekzistencën e borgjezisë. Kështu ka thënë sociologu dhe politologu amerikan Barrington Moore, i cili akoma më shumë, duke e parë në këtë aspekt njeriun e pasur e “quan borgjezinë si heroin e demokracisë”. “Klasat dhe elitat në demokraci”, f. 37.

Ne duhet të mësojmë alfën e sistemit të demokracisë, e cila nënkupton se nuk mund të ndërtohet kapitalizmi në Shqipëri, që është baza ekonomike e demokracisë pa pasur dhe pa mbështetur si duhet kapitalistët tanë të rinj. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se duhet ndërtuar një shoqëri e deformuar, në të cilën i pasuri, për shkak të pasurisë që zotëron të jetë “qytetar i dorës së parë”. Sigurisht kur flasim për mbështetjen e duhur që u duhet dhënë të pasurve, nuk do të thotë se ata duhen nxitur për të ndërtuar kapitalizmin në Shqipëri në formën më të “harbuar”, pa pyetur për asgjë tjetër veç pasurisë, pa përfillur të tjerët, sidomos ata që jo vetëm nuk janë të pasur por janë në nevojë. Në këto rrethana është e nevojshme që të jemi realistë në qëndrimin dhe marrëdhëniet me shtresën e pasur dhe problematikat që zhvillohen në shoqërinë dhe qytetërimin tonë. Janë rrethanat ekonomike dhe shoqërore në të cilat gjendemi që e favorizojnë jo vetëm klimën e etjes së njeriut për pasuri, por me sa duket paralelisht me këtë ndjenjë dhe realitet social zhvillohet dhe ambicia personale dhe zilia sociale ndaj të pasurve. Madje, shpesh ata padrejtësisht vendosen përballë akuzave absurde, iu numërohen lekët, hetohen jo vetëm nga shteti dhe ligji, por edhe terrorizohen nga opinioni publik, i cili në shumë raste është ambicioz dhe destruktiv. Nga ana tjetër, duhet vlerësuar fakti që në shoqërinë tonë ka një proces polarizimi social midis shtresave të shoqërisë dhe doemos duhet mbajtur në konsideratë edhe e vërteta tjetër, që tregon se pasuria është një vlerë sociale, edhe pse është e grumbulluar në pak duar. Ky është një problem, që sigurisht, nuk zgjidhet më një të “rënë të lapsit”. Sepse, së pari, duhet të kuptojmë ekzistencën e këtij “realiteti polarizues”, që mundësohet nga fakti që jetojmë në shoqëri demokratike, me shanse dhe mundësi të shumta për t’u bërë i pasur apo për të mbetur i varfër, për të qenë i integruar mirë financiarisht dhe nga pikëpamja sociale, apo për të njëjtat shkaqe për të mbetur i varfër dhe i margjinalizuar. Në këto kushte, për të mos krijuar paqartësi, utopi egalitariste dhe urrejtje të pamerituar për njerëzit e pasur të vendit tonë, duhet me qenë të kujdesshëm në vlerësimet që bëjmë për pasurinë dhe njerëzit e pasur. Kjo do të thotë që duhet të largohemi nga urrejtja për pasurinë e merituar dhe njeriun e pasur dhe njëherësh të synojmë që në shoqërinë tonë të krijojmë kulturën e re të respektit social dhe admirimit ndaj atyre që e kanë arritur suksesin ekonomik dhe financiar me punën e vet. Në këtë kontekst, kjo shtresë duhet vlerësuar për guximin sipërmarrës, aftësinë për të sfiduar, mundësinë për t’u përballuar me rreziqet e forta të afarizmit, biznesit dhe garantimit (jo thjesht fizik) të pasurisë së tyre. Në botën moderne të pasurit vlerësohen si shtresë sociale, ata nuk denigrohen, përkundrazi vlerësohen si njerëz të suksesshëm, model veprimi individual, të vendosur të ecin me këmbëngulje drejt suksesit dhe pasurisë…/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura