Jeta e Enver Hoxhës u filmua me kamerën që Sulo Gradeci i bleu Ismail Kadaresë në ‘62. Hoxha,përkthyes i Popoviçit

Oct 25, 2011 | 9:40

ENVER HOXHA ME NEXHMIJEN I FILMUAR NE DATEN 8 PRILL TE VITIT 1985, TRI DITE PARA VDEKJES

Në 1962, kamera iu ble studentit të kthyer nga Moska bashkë me laboratorin e zhvillimit
Gradeci filmonte Enverin me kamerën e Kadaresë

Çdo faqe e biografisë së Enver Hoxhës, shkruar nga gazetari Blendi Fevziu, tregon fakte të reja dhe tronditëse mbi jetën e ish-diktatorit dhe rrugës së terrorit që zgjodhi për t’u ngjitur në pushtet. Përmes dëshmitarëve të kohës, Fevziu na tregon se si një njeri që nuk ishte shfaqur hapur si komunist, u bë themeluesi dhe sekretari i parë i Partisë Komuniste. Një mister i mbetur i tillë për shumë dekada e që tashmë po merr formë. Rrëfimet e bashkëkohësve dhe letrat e shkruara me dorën e tij rrëfejnë se ç’ngjau në atë vit të largët dhe si urdhëroi eliminimin e gjithë atyre që i rrezikonin pushtetin. Ndër të dënuarit “me plumb pas koke”, ishte edhe historiani Kristo Frashëri. Kjo jetë e mbushur me mister dhe shumë gjak vazhdoi të ishte e tillë deri në momentet e fundit të jetës së tij, të xhiruara me kamerën që iu ble në ’62-shin studentit të sapokthyer nga Moska, Ismail Kadare.                                         a.m

8 prill 1985: infermieri roje i Enver Hoxhës u ngrit nxitimthi kur ndjeu alarmin që binte me nervozizëm dhe pandërprerë. I duheshin pak shkallë për t’u ngjitur në dhomën ku flinte “udhëheqësi” komunist i Shqipërisë, një dhomë modeste, pranë bibliotekës së tij gjigande. Nexhmije Hoxha e priste në këmbë, por e qetë, përveç një alarmi që i lexohej në sytë: një lloj alarmi që nuk i ndahej prej asaj dite kur i shoqi kishte mbetur në shtrat, i pamundur për të dalë jashtë shtëpisë së madhe në Bllokun ku jetonte udhëheqja komuniste. Enver Hoxha ishte aty, zhytur në kolltuk, me sytë që lëviznin, kureshtarë, pjesa e vetme realisht e gjallë e trupit të tij. “Shoku Enver do të dalë në oborr”, kjo duhet të ketë qenë pak a shumë porosia që kumtoi me dy fjalë, duke lënë përshtypjen që gjithçka duhej bërë shpejt, me njëfarë padurimi dhe gëzimi të shpjegueshëm në atë rast. Ishte hera e parë, pas shumë javësh, që Enver Hoxha kërkonte të dilte. I pamundur për të ecur, i lodhur për të folur me lehtësi, në një përgjumje të vazhdueshme, kishte kaluar një dimër të gjatë brenda shtëpisë. Në të vërtetë, kishte qenë një dimër i ashpër, madje për herë të parë pas shumë vitesh, më 11 janar 1985 në Tiranë kishte rënë dëborë, një dëborë që kishte veshur për një javë rrugët e zbrazura të kryeqytetit shqiptar. Por moti ishte zbutur atë javë: një diell i bukur ndriçonte oborrin me lulet e  mrekullueshme dhe statujat mediokre prej allçie. Infermieri duhej ta ketë përgatitur shpejt dhe Nexhmije Hoxha i ka lënë në dorë një palë syze të mëdha për ta mbrojtur nga ndriçimi vezullues i diellit. Dalja në dritë pas kaq kohësh qëndrimi në dhomë mund t’ia dëmtonte sytë. Edhe pse prej vitesh shikimi i ishte problematik: botën e shihte më zbehtë dhe shumë prej fytyrave të të njohurve të vjetër i qenë shndërruar në silueta. Sulo Gradeci, roja besnik, e ka ndjekur pas me kamera në dorë: një kamera perëndimore, që sapo kishte zëvendësuar atë të vjetrën gjermano-lindore të markës “Walmeier”. Ndryshe nga ç’ndodhte  zakonisht në regjimin komunist, ajo i ishte blerë një personi privat në vitin 1962: një studenti të sapokthyer nga Moska të quajtur Ismail Kadare, bashkë me gjithë laboratorin e zhvillimit të filmave. Nuk dihet se për ç’arsye, ose thjeshtë për lehtësinë e të mësuarit me të, Gradeci nuk e kishte ndërruar atë deri vonë me ndonjë prej modeleve të reja perëndimore. Prej vitit 1963 fiksonte me të gjithë ngjarjet e jetës së shefit dhe të familjes: filmime të gjata, ku Hoxha shfaqej lirshëm, pa kujdesin dhe pompozitetin e pamjeve zyrtare, atyre që pushtonin ekranet e kinemave dhe të televizioneve. Për një rastësi të çuditshme, një prej atyre tekave që fati i sjell shpesh në kohë dhe situata të ndryshme, filmimet e asaj dite, dita e fundit e Hoxhës gjallë, nuk humbën si shumë të tjera. Ato u gjetën 24 vjet më pas në arkivin e PPSH. Shikimi i tyre dhe distanca kohore i bëjnë edhe më misterioze dhe lejojnë të rindërtohet ajo ditë e 8  prillit 1985.

Zbardhet misteri i zgjedhjes së Hoxhës në krye të partisë
Enver Hoxha, përkthyes i Miladin Popoviçit

Enver Hoxha ne kafe “FLORA” me Pilo Peristerin

Kristo Frashëri u takua me Enver Hoxhën, i sapozgjedhur anëtar i Komitetit Qendror më 17 nëntor 1941, nëntë ditë pas themelimit të Partisë në një bazë në periferi të Tiranës. 70 vjet më pas ai e kujton ende me detaje përballjen me njeriun që do të ndikonte aq shumë në jetën dhe në karrierën e tij. Frashëri, 21-vjeçar,  kishte shkak të entuziazmohej për atë burrë të ri, 12 vjet më të madh, që po sillte në Parti një frymë të re të ndryshme nga ajo e grupeve komuniste dhe sherrnaja e tyre:
“Gjatë takimit ai u tregua tepër i rezervuar. Në fillim më tepër na dëgjoi se foli. Donte të na njihte. Nuk na ngacmoi fare, por na tha: “Tashti fillon një epokë e re, duhet hequr dorë nga puna e mëparshme”. Ne na bëri përshtypje. E vërteta është se ishte një njeri që përdorte terma frëngjisht, përdorte ca fraza nga  filozofët e famshëm të Francës, e na bëri përshtypje, kurse këta të tjerët, jo Koçi Xoxe, jo Vasil Shanto, këta ishin të  tabanit popullor, nuk dinin ata, dinin: “Armikut t’i biem kokës e ta shpartallojmë e të fitojmë”. Kështu dinin ata. Ishin fare pa kulturë. Kurse ky kishte një gjuhë prej intelektuali. Ishte njeri që kishte lexuar. Dideronë e kishte shumë për zemër, bënte ç’bënte dhe fliste për Dideronë”.  Frashëri qëndroi pothuajse një muaj në të njëjtën bazë më Enver Hoxhën dhe Miladin Popoviçin. Ai e njohu nga afër liderin e Partisë dhe krijoi rezervat e para. 70 vjet më pas, tanimë historian në kohën e lirisë së mendimit e të shkrimit, Frashëri botoi të parin libër mbi historikun e Lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe themelimin e PKSh, të mbështetur mbi burime nga më të larmishmet, përfshi edhe kujtimet personale, ku Enver Hoxhës i ka dhënë atë vend që mendon se ka merituar.
Por në nëntor të vitit 1981, kur Enver Hoxha botonte kujtimet e tij mbi themelimin e PKSh, asnjë nga pjesëmarrësit në

Miladin Popoviç, Mehmet Shehu dhe Fiqirete Sanxhaktari

Mbledhjen Themeluese nuk ishte në gjendje ta kundërshtonte. Qemal Stafa dhe Vasil Shanto qenë vrarë në vitet e Luftës. Anastas Lulo ishte pushkatuar, po gjatë Luftës, nga forcat partizane me urdhër të Hoxhës si pjesëtar i çetës së Xhelal Staraveckës. Koçi Xoxe ishte ekzekutuar në vitin 1949. Koço Tashko, Sotir Vullkani, Kristo Themelko, Tuk Jakova ishin degraduar, kishin vdekur në burg ose ishin internuar si “armiq” të Partisë që kishin themeluar vetë. Dushan Mugosha kishte vdekur, ndërsa Miladin Popoviçi ishte vrarë në Kosovë menjëherë pas Luftës. Ata që jetonin ende qenë 4 vetë. Në Shqipëri kishin mbetur Pilo Peristeri, në atë kohë i vetmi nga Mbledhja Themeluese që nuk ishte vrarë ose ndëshkuar si “armik” dhe që drejtonte Kombinatin e Autotraktorëve në Tiranë, si dhe Ramadan Çitaku, që ishte tërhequr në jetën e tij dhe kalonte një “pleqëri të harruar”. I treti ishte Sadik Premtja, që jetonte si punëtor emigrant në Paris duke u ruajtur nga eliminimi që mund t’i vinte prej shërbimeve sekrete të regjimit të Tiranës. Personi i katërt, kosovari Elhami Nimani, pikërisht ai që kishte mbajtur procesverbalin e Mbledhjes Themeluese, kishte zgjedhur heshtjen. Ai jetonte në Beograd dhe ishte bërë ambasador i Titos në vende ku politika jugosllave ishte e ndjeshme. Hoxha në kujtimet e veta nuk e përmendi kurrë me emër, por vetëm me fjalët “një shok kosovar”. Midis tij dhe Nimanit pati ndoshta një pakt të heshtur: Nimani nuk foli kurrë për Mbledhjen Themeluese të 8 nëntorit 1941 derisa vdiq në rrethana të çuditshme, në vitin 1998, dhe Hoxha kurrë nuk e konsumoi emrin e tij në publik.
Enver Hoxha nuk u zgjodh Sekretar i Parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë në atë mbledhje. Ai, si dhe Qemal Stafa e Vasil Shanto, përkrahu idenë e Miladin Popoviçit që në Byronë e Partisë së sapokrijuar të mos zgjidheshin ish-drejtues të grupeve  komuniste që kishin pasur konflikte mes tyre dhe që Partia, deri në një mbledhje të dytë, të mos kishte kryetar. Një komitet prej 7 vetash, i përbërë nga Qemal Stafa, Koçi Xoxe, Ramadan Çitaku, Gjin Marku, Tuk Jakova, Kristo Themelko dhe Enver Hoxha, do të kryente funksionet deri në mbledhjen tjetër. Enver Hoxha do të ishte përgjegjës për financat dhe teknikën. Zgjedhja e tij në Komitetin Qendror u bë me propozimin e Koço Tashkos, siç dëshmonte edhe vetë Hoxha në vitin 1944:
“Kur u formua Partia unë u gjenda ne Komitetin Qendror, këtu hyra me propozimin e Koços…”.
Nga 7 anëtarët e parë të KQ të PKSh vetëm Ramdan Çitaku vdiq në shtëpinë e tij. Të tjerët u vranë ose u burgosën, thuajse të gjithë me urdhrin e Hoxhës. Përgjegjës për financat dhe teknikën, i barabartë mes 5 anëtarëve të tjerë, Hoxha nisi të marrë në dorë drejtimin e Partisë pa pyetur për vendimin e Mbledhjes Themeluese. Këtu merr formë një tjetër pikëpyetje në Lëvizjen komuniste shqiptare. Përse iu imponua Hoxha të tjerëve kur mes 5 anëtarëve të Byrosë ekzistonte një paritet i deklaruar? Cili ishte roli që luajti Miladin Popoviçi në këtë imponim dhe përse Enver Hoxha u bë i zgjedhuri i tij i deklaruar? Duket se përgjigjen më të mirë kësaj pyetjeje ia jep vetë Enver Hoxha në të vetmin dokument relativisht të sinqertë që ai ka formuluar në jetën e tij, në Autokritikën që bëri në Plenumin e Beratit në nëntor të vitit 1944. E shkruar në një moment kur u sulmua nga gjithë “shokët” e Byrosë dhe kur u duk se ata do t’ia arrinin ta hiqnin nga posti i Sekretarit të Parë, Autokritika është një dokument autentik për 3 vitet e Luftës dhe, sidomos, për ngjitjen e tij në krye të PKSh dhe njëherësh të rezistencës së tyre. Duke shpjeguar ardhjen në krye të PKSh më 18 Mars të vitit 1943 në mbledhjen e Labinotit, Hoxha pohonte:
“Si u bë që unë qëndrova pranë Aliut [Miladin Popoviçit]?
Këtë s’e di. Por fakti është që unë qëndrova. Erdhëm në Konferencën e Vendit. Unë këtu dukesha si më i preferuari i Aliut. Ai kishte besim të madh tek unë. Unë gjithashtu tek ai. Si u përgatit konferenca e vendit, kjo është një tjetër histori. Si për të gjithë evenimentet e Partisë deri në fund ishte Aliu. Por kryesori i konferencës ishte Bllazhoja. Kur erdhi Bllazhoja me direktivat e Kominternit sikur na erdhi Perëndia […] Do të theksoj zgjedhjen time si Sekretar Politik. Aliu s’kishte besim tek asnjeri veç meje. Unë nuk e di për vendimin që u mor për këtë, por di që Aliu mbrojti tezën që unë të isha Sekretar Politik”.
Në të vërtetë, që pas zgjedhjes si anëtar i Komitetit Qendror dhe përgjegjës për financat e teknikën në 8 nëntor 1941, Enver Hoxha qëndroi thuajse i pandarë me Miladin Popoviçin ose, siç njihej midis komunistëve, Aliun. Ata u strehuan bashkë në një seri bazash në Tiranë dhe, që prej vitit 1942, dolën po bashkë jashtë kryeqytetit duke u vendosur në fillim në Labinot dhe më pas, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional- Çlirimtare, kudo që ai instalohej. Frëngjishtja e varfër që fliste Miladin Popoviçi ishte e vetmja mënyrë komunikimi me komunistët shqiptarë dhe për shumë kohë, siç dëshmon edhe vetë Hoxha, ka qenë ky i fundit që përkthente takimet e Popoviçit me militantët e tjerë që s’njihnin gjuhë të huaja, si dhe urdhrat e Miladinit për ta. Praktikisht, në mungesë të një sekretari të parë dhe me një komitet me 5 anëtarë, ishte Miladin Popoviçi ai që drejtoi PKSh që prej 8 nëntorit 1941 e deri më 18 mars 1943. Popoviçi ka marrë pjesë në të gjitha mbledhjet dhe takimet. Ka qenë ai që, sipas  procesverbaleve, hapte mbledhjet dhe në fund bënte konkluzionet. Dhe ka qenë po ai që merrte vendimet, madje edhe ato për dhunë dhe akte terroriste. Siç pranon përsëri Hoxha në Autokritikën e tij në Plenumin e Beratit.
Por në pranverën e vitit 1943 Popoviçi ishte i bindur që PKSh duhej të drejtohej nga njëri prej anëtarëve të Komitetit Qendror, nga një komunist lokal. Porosia e Titos e ardhur ato ditë bënte presion për një gjë të tillë. Nuk ka asnjë dyshim që Popoviçi e kishte bërë zgjedhjen e tij. Nisur edhe nga një shkak që, me sa duket, ka luajtur rol: fakti që gjatë mbledhjeve të deriatëhershme kryesisht Hoxha kishte qenë i aftë t’i fashiste pasionet dhe sherret që nisnin aty. Më 18 mars, në mbledhjen e Labinotit, Ymer Dishnica propozoi që Enver Hoxha, anëtar themelues i PKSh, si dhe anëtar i KQ provizor dhe përgjegjës për financat, të zgjidhej “sekretar politik”. Thënë ndryshe, Sekretar i Parë ose shef i komunistëve shqiptarë. Miladin Popoviçi miratoi. Askush deri më sot nuk e ka përshkruar këtë skenë. As Hoxha vetë, që në korpusin e kujtimeve të veta dhe në 71 librat e botuar merret me çdo çikërrimë të historisë së PPSh. Askush nuk di të thotë se si ndodhi, por që nga ai moment dhe deri më 9 prill të vitit 1985, kur ra në koma, Hoxha mbeti drejtuesi i vetëm i PKSh. Ai u zëvendësua nga Ramiz Alia në krye të saj, një javë pas vdekjes, më 18 prill të vitit 1985. Ajo çfarë bie në sy është se themelimi i PKSh nisi të shoqërohet që në fillim me përjashtime dhe madje eliminime, e vetmja mënyrë për të imponuar disiplinën dhe bindjen absolute, dy elemente ishin që i kishin bërë komunistët në të gjithë botën lehtësisht të dallueshëm. Eliminimet, që nisën menjëherë pas themelimit të Partisë dhe që u bënë “modë” pas zgjedhjes zyrtarisht të Hoxhës si drejtues i saj në 18 mars të vitit 1943, ishin në fakt thelbi i filozofisë politike të PKSh. Historia e Hoxhës është një histori e gjatë e eliminimit të drejtuesve të Partisë, të krerëve të saj dhe të “shokëve” të tij. Një histori e trishtë, e njohur në vendet  komuniste, por për nga përmasat e krahasueshme vetëm me atë që Stalini bëri në Bashkimit Sovjetik gjatë 29 viteve të sundimit të tij. Enver Hoxha i kishte hyrë politikës me një metodë të re, që Kristo Frashëri, i pari që u përjashtua nga Partia në fillim  të vitit 1942 e përkufizon kështu: “Kur mori përgjegjësinë e Partisë në kohën e Luftës ai iu kushtua totalisht punës. Ai ishte njeriu që diti të tregojë një  vendosmëri të fortë gjatë Luftës. Unë nuk e kam dashur, por e çmoj për punën që bëri gjatë saj. Pas Luftës pastaj ai u shpërfytyrua krejt. E ruajti buzëqeshjen, por përdori atë metodën që i mësoi Miladini: Partia forcohet duke u spastruar. Edhe kur nuk ka armiq, krijo armiq”.  Vetë Frashëri u dërgua për riedukim në çetën e Pezës me një zarf në dorë brenda të cilit ishte një letër për komisarin e saj. Frashëri duhej ta dorëzonte letrën të pahapur. Ai e bëri vërtet këtë, por 60 vjet më pas gjeti në AQSh letrën që kishte dorëzuar me dorën e vet me një përmbajtje të thjeshtë: “Person i  rrezikshëm, mbajeni nën kontroll, po e drodhi bishtin, këputini një plumb pas qafe. Enver!” Po të kishte kërkuar edhe më në AQSh, Kristo Frashëri do të  kishte gjetur edhe një porosi tjetër, mes porosive të shumta të Enver Hoxhës dhe të Miladin Popoviçit, që i jepeshin si “direktiva” Nako Spirut në mars të vitit 1944: “Për punën e grupazheve duhet të kini mendjen. Shumë herë i kemi shkruar Gogos. Delegates (Nexhmije Xhuglinit) i kam shkruar kur kam qenë në Martanesh dhe qe bash atje Kristo Frashëri, i cili drejtohej për Tiranë. Isuf Keçi kish qenë atje dhe Kristo Frashëri i kish thënë të vente të piqej me Xhaxha Nezin dhe sigurisht dhe me Xhepin […] Grupazhet janë strukur në qytete, pse në çeta s’mund të punojnë lirisht, atje organizojnë, atje kombinojnë, prandaj shokët të jenë të zgjuar, t’i vëzhgojnë, t’i luftojnë dhe të mos ketë Gogoja me shokë për ta një zemër murgeshe. Për Partinë s’ka qeder pse shkon e digjet dhe një dru i njomë me të thatin. S’bëhet ndonjë hata, të mos kenë frikë”. Kristo Frashëri nuk ishte i vetmi të cilit iu rezervua një fat i tillë. Enver Hoxha u tregua i pamëshirshëm me ata që e  kundërshtonin dhe që e pengonin në rrugën e tij, ose thjesht me ata që me personalitetin dhe karizmin e tyre i bënin hije  pushtetit të tij. Në ish-Arkivat e PPSh, të integruar tanimë në AQSh, janë gjendur shënimet që Hoxha u diktonte gjatë Luftës adjutantëve: urdhra të prerë, cinikë dhe me një mungesë të çdo elementi njerëzor. Si ky për Llazar Fundon, komunist i orëve të para, që ai e kishte njohur në Korçë, nisur për divizionin e veriut me datë 21 shtator 1944: “Zain e Fundos ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni. Ti kërkohet të japë shpjegime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë? Kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva? Cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të anglezëve? Të japë shpjegim për aktivitetin e tij të mëparshëm dhe për tradhtinë e tij. Depozimet e Zaiut na i dërgoni këndej me një njeri të sigurt. Zain e vrisni andej. Enver”.

BLENDU FEVZIU

© Panorama.al

Te lidhura