VIDEO/ “Jemi të izoluar prej 2 javësh”- Banorët e Kolonjës thirrje për ndihmë: Askujt nuk i intereson kur përmbytet fshatari, por kur ka votime vijnë te ne

Nov 27, 2025 | 10:33

Banorët e rreth 15 fshatrave të Kolonjës kanë dalë këtë të enjte në protestë, në Qafzez,  tek ura e Baba Selimit ku kalon lumi Osum, pasi janë izoluar për më shumë se dy javë si pasojë e shembjes së urës në zonë.

Ura u shemb nga prurjet e ujit që vërshoi nga reshjet e dendura të shiut dhe që prej asaj dite banorët kanë mbetur të bllokuar, pasi nuk kanë si të lëvizin.

Për këtë arsye ata dolën sot në protestë, për t’u bërë thirrje autoriteteve të reagojnë, pasi situate është serioze.

Ata denoncojnë se askush nga qeverisja lokale nuk u është përgjigjur thirrjeve të tyre për ndihmë.

“Këtu nuk ka as shtet asgjë. Ura ka mbi 2 javë e prishur. Ka njerëz të sëmurë në zonat malore. Janë 10 a 15 fshatra të izoluar. Vetëm për votime vijnë këtu, se përmbytet fshatari nuk vijnë”, tha njëri prej banorëve.

Banorët thonë se në fshatrat e  thellë ka  të sëmurë, të cilët prej dy javësh po presin në mëshirë të fatit.

Ata  kërkojnë që institucionet të kthejnë kokën nga ata pasi ura lidhëse e këtyre fshatrave me rrugën kryesore nuk u mundëson kalimin për shkak të dëmtimit të rëndë që ka pësuar.

urën e Baba Selimit në të cilën kalon lumi Osum. (3)

Ja çfarë thonë banorët e tjerë:

“Po bëjmë dy javë të izoluar. Janë 14 fshatra të tëra të izoluar. Ura ka rënë, rruga është prishur. Këta na vijnë ne vetëm për zgjedhje. Nuk kalojmë dot as në këmbë te ura.”

“Këtu nuk ka as shtet asgjë. Ura ka mbi 2 javë e prishur. Ka njerëz të sëmurë në zonat malore. Janë 10 a 15 fshatra të izoluar. Vetëm për votime vijnë këtu, se përmbytet fshatari nuk vijnë.”

“Kam 20 ditë që pa parë vajzën, se është në shkollën e Ersekës, sepse këtu është mbyllur shkolla. Marrim në telefon nënkryetarin e nuk përgjigjet, e mbyll telefonin.”

“Jemi të izoluar totalisht. Blegtorinë e kemi pa tagji, nuk kemi asgjë.”

© Panorama.al

Te lidhura