E reja shtatzënë, e cila ka goditur me thikë bashkëjetuesin e saj, ka rrëfyer se janë njohur në Facebook dhe kanë 3 vite që jetojnë së bashku.

25-vjeçarja tregoi se në periudhën kur u njohën, Erald Tosku ishte në lirim me kusht pasi ishte futur në burg për shkak se kishte plagosur një person në Greqi.
Ajo rrëfeu për emisionin “Me Zemër të Hapur” të gazetares Evis Ahmeti, se fillimisht jetuan me familjen e tij në Lushnjë, por sipas saj, nëna e partnerit nuk e donte pasi e xhelozonte. Më pas me transferimin në zonën e Kombinatit në Tiranë, tregoi se partneri nis të bëhej nevrik kur ajo ngeli shtatzënë.
E reja u shpreh se ai nuk e lejonte të punonte dhe të dilte jashtë banesës. Por theksoi se nuk e denoncoi për hir të fëmijëve dhe se nuk kishte ku të shkonte pasi i vëllai i kishte thënë se “nëse merr atë nuk vjen më në shtëpi”. Madje, shtoi se për ti vërtetuar dashurinë partnerin vendosi të bënte fëmijën e dytë me të.
“Jemi njohur nëpërmjet FB dhe vendosëm të jetonin së bashku. Ai ka qenë në liri me kusht në atë kohë. Kam qenë e martuar më parë dhe kam një fëmijë. Edhe ai ishte i martuar, kishte fëmijë. Ka qenë në burg në Greqi për plagosje, pastaj u transferua në burgun e Lushnjës.
Fillimisht kemi jetuar në Lushnje. Nëna e tij ishte xheloze, sepse mos i merrja çunin dhe i harxhoja lekët. Por unë rri gjithë ditën brenda. Burrit iu kthye arresti me burg ndaj erdhëm këtu, kemi 3 vite që jetojmë këtu. Kemi një fëmijë 7 muajsh së bashku. Kur fëmija i tretë po vinte në jetë ishte shumë nevrik, për çdo gjë më bënte presion. Nëse del jashtë, mos ec më në shtëpi, Kam punuar edhe unë 2 vite në market.
“Edhe me fëmijë në bark më ka goditur, më ka rënë të fikët. Vëllai më tha që nëse e merr nuk vjen më në shtëpi dhe nuk e denoncova për hir të fëmijëve. Vendosja të bëj fëmijë tjetër, për i vërtetuar që e doja”, tha ajo.
Ç’ndodhi ditën e plagosjes
Ngjarja ndodhi ditën e enjte (19 tetor), ku e reja plagosi me thikë bashkëjetuesin e saj në banesën ku jetonin së bashku në zonën e Kombinatit.
Ajo tregoi se në atë moment partneri e kapi prej fyti dhe kishte thikën në dorë.
“Ai e drejtoi thikën drejt vetes dhe u mundova t’ia hiqja. Kishte veshur një xhup dhe iu ngul pak thika”, u shpreh 25-vjeçarja.
E reja tregoi se e dërguan në spital me makinën e një shoku të tij dhe fillimisht partneri rrëfeu se u plagos nëpër shkallë dhe më pas e akuzoi për plagosje.
“Ai më kapi prej fyti dhe kishte thikën në dorë. E kishte drejtuar thikën nga vetja dhe thoshte dua të vdes e nuk dua të jetoj më kështu. Shikonte shokët e tij dhe mërzitej. Nuk mund të dilte nga vendi, as natën. Nuk dilnim asnjëherë si çift.
Ai e drejtoi thikën drejt vetes dhe u mundova t’ia hiqja. Kishte veshur një xhup dhe iu ngul pak thika. M’u morën mendtë në atë moment dhe nuk e mbaj mend si ndodhi. Kisha frikë se do më vriste. Më tha se do vriste veten më pas. Kisha frikë mos vriste fëmijën ose edhe mua. Kam marrë më pas ambulancën në telefon, nuk e lashë ashtu. Nuk kishte gjakderdhje, vetëm dy pika gjaku ranë në shtëpi. Ai tha që iu mor fryma në atë moment. Fëmijën e lamë këtu duke luajtur.
Ambulanca nuk erdhi, mora shokun e tij që e çoi në spital. I thashë që është plagosur Eraldi dhe shkuam në spital. Ai i tha fillimisht që u plagos nëpër shkallë. Më thanë se plaga nuk ishte e madhe. Fola pak dje me Eraldon në spital. Më akuzoi për plagosje. Ti më vrave më tha. Unë i thashë nuk e bëra unë. As unë nuk e di çfarë ndodhi në atë moment. E përjetova shumë keq. E kam të ndaluar të shkoj në spital. Nuk kemi folur më. Nuk e di nëse do kthehemi më bashkë. Sot mora një urdhër mbrojtje.
Kur ka qenë Eraldi në Greqi ka goditur një njeri mbrapa kokës dhe ai është i paralizuar tani. Është bërë me paramendim, por nuk e kam pyetur asnjëherë. Ai më tha se e bëri për të vëllanë. Ka qenë 20 vjeç asokohe. Gjithë rininë e kaloi në burg dhe aty e rrihnin vazhdimisht.
Mund të jem budalla më tha, mund të jem çmendur. Kam shkuar te psikologu, por nuk kam vuajtur nga probleme të shëndetit mendor. Mund të kem pak depresion dhe kam pak zërin e lartë. Nuk shkoj me komshien, më tha që jam armikja më e madhe e saj. Kam një teze afër që nuk do të më shohë me sy.
Nuk jam divorcuar nga burri i parë, burri ndërroi jetë. Ka bërë aksident me motor”, rrëfeu 25-vjeçarja.
© Panorama.al











