Jehona e prioritetit të edukimit

Nov 11, 2011 | 9:18

NDRIÇIM KULLA

NDRIÇIM KULLA
Ka disa vite që ndihet të jetë krijuar një ndjeshmëri e re intelektuale dhe publike, formësuar nga shkrime, publikime apo dhe biseda televizive në lidhje me problemin e rëndësishëm dhe akut që lipset të përballojë shkolla jonë përballë rinovimit teknologjik nga njëra anë, që po i vërshon si një dallgë, pasi ai është kthyer me të drejtë në një prioritet të qeverisë aktuale, dhe të qenit në të njëjtën gjatësi vale me kërkesat e tregut dhe të kohës, që i parathonë reforma në lidhje me edukimin që të vijojnë njëherë e mirë dhe paralelisht me reformat e përgjithshme të ndërmarra në mësimdhënie.
Dalëngadalë u panë sinjale të forta të drejtimit të Ministrisë sonë të Arsimit në rrugën e vendosjes prioritare të problemeve të edukimit në programin e saj. Aq më tepër që në këtë pikë gjejmë një përputhje të plotë të mendimit publik me atë qeveritar, madje mund të themi dhe opozitar, përderisa disa aspekte të veçanta të edukimit duket të jenë përfshirë edhe në plan-programin e saj të sapopublikuar. Ndaj, duke qenë se i kemi rënë disa herë kambanës së edukimit, nuk kemi si të mos përshëndesim dy përgjigjet më të fundit të jehonës së saj, që na u ofrua këtë javë nga Ministria e Arsimit. Në fillim, hedhja e një baze të qëndrueshme të edukimit kombëtar (e pse jo dhe patriotik) në mbarë trevën shqiptare, ishte unifikimi i programit dhe kurrikulave për mësimin e shqipes në shkollat shqiptare në Kosovë, një pikënisje kjo e domosdoshme për programe të tjera në të ardhmen. Tashmë që bazat u hodhën, e me Kosovën diçka e tillë mund të jetë edhe më e lehtë, produkti ynë i letërsisë së traditës dhe mendimit shqiptar në veçanti do ta ketë perspektivën më të qartë e rrugën më të hapur. Në sfidat e sotme të globalizmit, në përgjithësi, dhe në pohimin e identitetit të kombit shqiptar në veçanti, njëra nga predispozitat kryesore të qeverisë dhe shtetit tonë është, pa dyshim, mbështetja në traditat dhe kulturën integruese që kërkon koha, jo vetëm në raport me BE dhe Perëndimin, por edhe me historinë e të gjithë trevave shqiptare në rajon. Pra, në njërën anë ndër-integrim, e nga ana tjetër integrim i përbashkët në pikëpamjen e teksteve bazë dhe kurrikulave në lidhje me historinë, kulturën dhe traditën.
Në përputhje të zbatimit të kësaj predispozite, një program konkret i këtij integrimi dy-kahesh duhet të fillonte nga kultura, arsimi dhe të gjitha institucionet kulturë-formuese të çdo vendi. E kush më mirë se libri do ta pikëniste këtë proces që na nevojitet aq shumë, në planin e brendshëm dhe në atë të jashtëm si dëftues i dinjitetit, efektshmërisë dhe vendosmërisë që po tregon faktori shqiptar në ecjen konkrete në rrugën e afirmimit të dinjitetit të tij.
Natyrshëm që kërkohen konsultime, akordime dhe marrëveshje të tjera jetike për ta konkretizuar këtë shtyllë bazë të edukimit, por e ardhmja duket se po nis me fryte të mbara. Madje, nisur nga marrëdhëniet e ngushta me realitetin kosovar të arsimit, janë të gjitha gjasat e implementimit në këtë realitet, të shumë programeve tashmë të rregullta prej disa vitesh, që kryen nga aparati i sistemit tonë arsimor, siç është p.sh. praktika e pasurimit të bibliotekave. Do të qe e vlerësueshme që Ministria jonë të jepte ndihmën me përvojën e inkurajimin e saj nëse simotra kosovare, do të ndërmerrte një rinovim të tillë urgjent dhe jetik për bazën e edukimit që kërkojmë të formojmë në plan mbarëshqiptar. Madje, duke u fokusuar në një fushë të caktuar botimesh, mund të ndërmerrej edhe një financim i përbashkët midis dy ministrive, ose mund të gjendeshin mekanizmat financiarë e institucionalë për një projekt ndër-integrues, që jo vetëm do ta lehtësonte barrën financiare për secilin vend, por veçanërisht do të hidhte bazat e ndër-integrimit falë edukimit të nxënësve tanë me atë që i nevojitet parësisht, edukimin përmes mendimit, patriotizmit dhe frymës kombëtare.
Megjithatë, jehona më e madhe që duket të ketë marrë përpjekja publike dhe intelektuale e edukimit, madje mund të themi në rezonancë me jehonën europiane (çka e përforcon prezenca e parapëlqyer e një përfaqësuesi të saj të lartë si Volfarth), ishte prioriteti i edukimit qytetar dhe institucional nëpërmjet disa iniciativash që Ministria e Arsimit në bashkëpunim me OSBE-në, organizoi këto ditë në pjesët më të rëndësishme të sistemit tonë institucional, Parlament, Presidencë, Kryeministri. Është diçka shpresëdhënëse që kjo po konkretizohet me fillimin e ndryshimeve kurrikulore që u shpallën se do të kryheshin, dhe besoj se kjo do t’i japë një dallgë të re cilësisë së edukimit në shkollat tona.
Unë besoj se edukimi është një proces i të jetuarit dhe jo një përgatitje për jetën e ardhshme, do të shpallte në “Kredon e tij pedagogjike” Xhon Djui, reformatori i madh i edukimit, veçanërisht atij demokratik e institucional, për të përcaktuar emblematikisht se “detyra e komunitetit për edukimin është detyra morale më e lartë”. E na vjen mirë që një ndjeshmëri të tillë ka arritur ta kapë e ta bëjë politikë e perspektivë të sajën edhe sistemi ynë arsimor. Do të qe me vend të përmendej se në këtë reformë kurrikulore shembujt nuk mungojnë, pasi një problem të tillë shumë vende e kanë zgjidhur edhe me botime të posaçme e të përshtatura me temë demokracinë, lindjen, historinë e saj, parimet bazë dhe raportet me institucionet, duke i vënë theksin edukimit qytetar. E në këtë perspektivë nuk mund të mos përfshihet edhe ai prioritet i integrimit që ka mbërthyer e do të mbërthejë me të drejtë jetën tonë në sistem vendi. Që shkolla e edukimi ynë qytetar t’i përgjigjet asaj sa më mirë e praktikisht, duhet të gjente mbështetjen e vet në programin e njohjes së Europës, historisë dhe institucioneve të saj, krahas atyre kombëtare. Një dyanësi e tillë ekuilibruese do të qe më e përshtatshmja nëse do të dijë të gërshetohet apo përthithet më mirë nga nxënësit edhe me aktivitete argëtuese e nxitëse, pasi jo vetëm e japin në mënyrën më të mirë të mundshme mesazhin, por edhe krijojnë jehonën më të fortë në qarqet politike europiane mbi seriozitetin dhe dinjitetin institucional, me të cilën shkolla jonë po i përgjigjet sfidave të të qenit në rezonancën e kohës dhe situatave.

© Panorama.al

Te lidhura