“Jehoi salla në Bujanoc”- Ministri Blendi Gonxhja ndan pamjet nga aktivitetet në Luginën e Preshevës në kuadër të festave kombëtare

Nov 30, 2025 | 9:01

 

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka publikuar pamjet nga aktivitetet e zhvilluara në Luginën e Preshevës në kuadër të festave kombëtare.

bujanoc

Me anë të një postimi në Facebook, ministri thotë se për herë të parë, Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë dhe nën kujdesin e Ambasadës së Shqipërisë në Beograd, po organizon një seri aktivitetesh kulturore, artistike dhe identitare në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak, me rastin e festave të Nëntorit.

“Jehoi salla në Bujanoc të Luginës së Preshevës me këngën Besa-Besë, të performuar nga nxënësit e shkollës fillore “Naim Frashëri” bashkë me publikun, në kuadër të manifestimit kulturor të 28 Nëntorit përmes programit kulturore “Nëntor Lugine” të mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë”, shkruan ministri.

Ai bën të ditur se mbi 607 artistë e krijues të angazhuar dhe mbi 3,500 pjesëmarrës të pranishëm në evente, publik, të rinj, nxënës, komuniteti i gjerë dhe dashamirës të artit e kulturës shqiptare që u bashkuan për të festuar.

“Kjo nismë vjen menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit në shtator, si dhe pas vizitave zyrtare të zhvilluara këtë vit në Luginën e Preshevës, të cilat u realizuan nën kujdesin dhe vëmendjen e posaçme të Kryeministrit Rama.

Gjatë këtyre vizitave, u thellua dialogu me komunitetin shqiptar, institucionet lokale, dhe të rinjtë që mbajnë gjallë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë në Luginë.

MTKS dhe institucionet e saj, mbeten plotësisht të përkushtuar të forcojnë bashkëpunimin me Preshevën dhe të gjithë Luginën, duke mbështetur nismat kulturore, panairin e librit, artistët e rinj, aktivitetet komunitare dhe çdo përpjekje që ruan, zhvillon dhe promovon identitetin shqiptar”, mbyll postimin ministri Gonxhja.

© Panorama.al

Te lidhura