“Janë sekuestruar 7 gëzhoja në vendngjarje”- Drejtori i policisë së Tiranës zbardh detaje nga atentati në Don Bosko: Në makinën e djegur të autorëve është gjetur një armë zjarri

Sep 3, 2024 | 16:27

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot në Don Bosko, ku dy persona u qëlluan me armë zjarri, duke mbetur të plagosur.

Vocaj deklaroi se në vendngjarje janë gjetur 7 gëzhoja, ndërsa në makinën e autorëve, e cila u gjet e djegur në Kamëz, u gjet dhe sekuestrua një armë zjarri.

Në një deklaratë nga vendi i ngjarjes, Vocaj u shpreh se dy personat e plagosur ishin të ulur në një kafe kur janë qëlluar me armë zjarri.

Sipas Vocajt, mendohet se autorët kanë qenë tre persona, bashkë me drejtuesin e mjetit dhe kanë qëlluar nga brenda makinës.

Po ashtu drejtori i policisë së Tiranës tha se kanë pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe kjo do t’i ndihmojë për të hedhur dritë mbi zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë.

LEXO EDHE: “Autorët kanë qëlluar nga makina”- Atentati në ‘Don Bosko’, Drejtori i Policisë Tiranë tregon dinamikën: Mendohet se ishin tre persona! Kemi pamjet filmike

“Kemi ngritur një grup të posaçëm hetimor që po mbledh të gjitha provat që do ti shërbejnë hetimit. Jemi duke kontrolluar në të gjithë zonat për kamerat e sigurisë. Po kështu, në territorin e komisariati nr 5 është gjetur një mjet, që ka përputhshmëri me atë të autorëve. Targat nuk janë të vjedhura, por nr i shasisë nuk përputhet me automjetin origjinal. Vazhdojnë hetimet. Janë sekuestruar 7 gëzhoja nga një armë zjarri, nuk e kemi përcaktuar tipin e armës. Në automjet është gjetur një armë zjarri që po ekzaminohen.

Ishin në të njëjtën tavolinë, janë lidhje shoqërore. Nuk është kamarier. Kanë qenë duke pirë kafe në verandën e lokalit. Për objektivin nuk mund ta themi, nga hetimi besoj se do të rezultojë.

Mendohet se kanë qenë tre persona, përfshirë dhe drejtuesin e mjetit.

Jemi duke analizuar çështjen, njëri prej tyre ka precedent kriminal. Jemi duke hetuar backgroundin e të plagosurve, për të përcaktuar dhe pistat hetimore. Autorët kanë qëlluar nga automjeti, nuk kanë zbritur. Kemi pamjet filmike dhe kemi një ide të qartë për dinamikën”, tha Vocaj.

© Panorama.al

Te lidhura