Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka zbardhur dinamikën e atentatit në “Don Bosko” në Tiranë, ku mbetën të plagosur Kastriot Elezaj 45 vjeç dhe Ronaldo Metushi 22 vjeç.
Në një deklaratë nga vendi i ngjarjes, Vocaj u shpreh se dy personat e plagosur ishin të ulur në një kafe kur janë qëlluar me armë zjarri.
Sipas Vocajt, mendohet se autorët kanë qenë tre persona, bashkë me drejtuesin e mjetit dhe kanë qëlluar nga brenda makinës.
Po ashtu drejtori i policisë së Tiranës tha se kanë pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe kjo do t’i ndihmojë për të hedhur dritë mbi zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë.
“Mendohet se kanë qenë tre persona, përfshirë edhe drejtuesin e mjetit.
Jemi duke analizuar këtë çështje, njëri prej tyre ka precedent penal, por ne jemi duke hetuar për begraundin që këta të plagosur kanë dhe për të studiuar konfliktet që këta mund të kenë, që do jenë edhe pistat e hetimit
Autorët kanë qëlluar nga automjeti. Ne kemi pamjet filmike për mënyrën si ka ndodhur ngjarja dhe kemi një ide me ngjarjen Është probabilitet që të kenë qenë të maskuar”, tha Tonin Vocaj.
© Panorama.al











