OBSH paralajmëron Evropën për valën e re të të nxehtit: Mund të përballet me javë më vdekjeprurëse

Jul 7, 2026 | 16:22

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se Evropa mund të përballet me “javë më vdekjeprurëse” për shkak të një valë të re të nxehtë intensive që po formohet mbi Atlantik.

vapa

Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, zhvilloi një takim urgjent me përfaqësues nga 41 vende, Komisionin Evropian dhe organizatat e shoqërisë civile për të diskutuar mësimet e nxjerra nga vala e fundit e të nxehtit dhe përgatitjet për atë të radhës.

Në një deklaratë, Kluge tha se vendet me plane veprimi shëndetësor në lidhje me temperaturat ekstreme dhe valët e të nxehtit reaguan më shpejt dhe mbrojtën më mirë popullsitë e tyre gjatë valës së të nxehtit të qershorit.

Megjithatë, ai tha se më pak se gjysma e vendeve anëtare evropiane të OBSH-së po zbatojnë masa të tilla.

“Puna tani është në dy fronte: duke rregulluar atë që dështoi në javët e fundit para se të godasë vala e ardhshme e të nxehtit dhe duke ndërtuar llojin e sistemeve shëndetësore që jo vetëm i përgjigjen nxehtësisë ekstreme, por janë të gatshme për të”, tha Kluge.

Ekspertët kanë njoftuar se vala e të nxehtit që zgjati nga 20 deri më 28 qershor ishte më e rënda e regjistruar ndonjëherë në Evropë, duke shkaktuar probleme në prodhimin e energjisë, dëmtime të infrastrukturës dhe mbingarkesë të sistemeve të kujdesit shëndetësor.

Franca, Holanda dhe Belgjika regjistruan 3,700 vdekje shtesë, me autoritetet që paralajmërojnë se numri i të vdekurve është i përkohshëm dhe mund të rritet.

© Panorama.al

Te lidhura