“Jam i pakorruptuar”- Agron Shehaj takim me qytetarët e degës 7: Jemi parti ndryshe nga të tjerët! Synimi, kursimi i 1 miliard eurove nga administrata

Apr 17, 2025 | 21:38

Drejtuesi i Partisë Mundësia, Agron Shehaj gjatë një takimi me qytetarët e degës nr.7 në Tiranë, tha se ai është ndryshe nga të tjerët sepse është i pakapshëm dhe i pakorruptueshëm, pasi ia ka dalë me punë duke mos ia shtrirë dorën askujt.

agron shehaj

Shehaj u shpreh se ashtu si ai, edhe forca e tij politike është e vetmja që nuk bëri pazare dhe as u ulë të bënte pazare, pasi kërkon votën e qytetarëve të thjeshtë.

“Pse unë jam ndryshe? Unë jam ndryshe sepse ia kam dalë me punë, nuk ia kam shtrirë dorën askujt. Jam i papërlyer, jam i pakapur, i pakapshëm dhe i pakorruptueshëm. Nëse ti shikon alternativa të tjera të ngjashme, unë nuk shoh. Nëse ka një parti që është ndryshe nga të tjerët, jemi ne. Ne jemi e vetmja parti politike që nuk pranuam pazare, as nuk u ulëm. Zgjodhëm të mos bënim Pazar me asnjë. Ne duam votën e qytetarëve të thjeshtë, ky është modeli ynë, jo modeli i të fortëve”, tha Shehaj.

Shehaj u shpreh se synimi i tij kryesor është mbajtja e premtimit për kursimin e 1 miliardë eurove nga administrata, të cilat do t’u jepen qytetarëve nëpërmjet uljes së taksave.

“Premtimi më i madh, kursimi i 1 miliardëshit, është synimi im. Unë do ta marr administratën, do ta kthej me kokën poshtë, do ta shtrydh. O nxjerr 1 miliard, o rashë e vdiqa. Do kursej 1 miliardë nga gjithë ata që shpërdorojnë paratë e qytetarëve. Të gjithë ata që na sulmojnë sepse duan që gjërat të mos ndryshojnë, të hidhen përpjetë, nuk na ndalojnë”, u shpreh Shehaj.

© Panorama.al

Te lidhura