Shqipëri-Kosovë, shkurtohet me një orë udhëtimi

Nov 13, 2011 | 11:14

Kukës, Vërmica

Ja detajet e projektit në Rrugën e Kombit

Shqipëri-Kosovë, shkurtohet me një orë udhëtimi

Gati autostrada moderne, ku mund të drejtosh makinën me 140 km në orë, në një rrugë të ndriçuar

Shqipëria e Kosova janë më afër se kurrë prej mëngjesit të djeshëm. Për 17 minuta, me një shpejtësi 140 km/orë, mund të shkosh nga Morini deri në Suharekë. Brenda disa muajve, nga Tiranë në Prishtinë udhëtarëve do t’u duhen jo më shumë se 3 orë nëpërmjet autostradës moderne. Ideja për bashkimin e dy pjesëve të ndara të kombit kishte vite që qarkullonte, por ajo u bë e mundur vetëm pas çlirimit të Kosovës dhe pavarësisë së saj, tre vite më parë, dhe kur pjesa tjetër e rrugës në Shqipëri ka përfunduar. Më 12 prill të vitit të kaluar, dy kryeministrat bënë shpërthimin simbolik të nisjes së punimeve. Më parë, Shqipëria dhe Kosova ishin të lidhura natyralisht me shtigjet dhe rrugët natyrale, por më kryesorja ishte ajo përmes luginës së Drinit të Bardhë, nëpërmjet kafshëve të transportit e karvanëve dhe më vonë automjeteve. Kjo rrugë u mbulua në vitin 1978 nga ujërat e liqenit të Kukësit dhe për 33 vite lidhja e bë me një tjetër rrugë, e cila tashmë thuajse është fshirë nga hartat rrugorë, pasi dy vendet lidhen më autostradë. Simboli i së vjetrës është ende ura më vijë të kuqe në mes, e cila dita-ditës shënon fundin e një epoke.

PROJEKTI

Nga Vërmica në Merdarë, autostrada është e gjatë gjithsej 102.8 km. E përfunduar prej ditës së djeshme, nga Vërmica në Suharekë është në një gjatësi 34.3 km, e cila përshkruhet në një shpejtësi të lejuar deri në 140 km/h, në 17.5 minuta. Në këtë segment ndodhet ura më e gjatë në gjithë autostradën e bashkuar Durrës-Kukës-Prishtinë, ajo në fshatin Shkozë, me gjatësi 560 metra dhe lartësi 50 metra. Në këtë projekt u punësuan, sipas të dhënave zyrtare të Becthel ENKA, 3800 punëtorë, nga të cilët, 2000 nga Kosova dhe të tjerët nga Shqipëria, Turqia dhe specialistë amerikanë. Në punime janë angazhuar si nënkontraktorë dhe 70 kompani vendëse në punimet ndihmëse. Pjesa e deritanishme ka kushtuar 330 milionë euro dhe qeveria e Kosovës ka ndarë edhe 240 milionë euro për vitin e kaluar për vazhdimësinë e rrugës. Ndryshe nga autostrada në Shqipëri, kjo pjesë e Kosovës është e përfunduar me 10 ura, 17 mbi e nënkalime, si dhe janë edhe rrethrrotullimet e mëdha, që lidhin qendrat e banuara dhe ato ekonomike si në Prizren dhe Suharekë. Shumica e autostradës është me ndriçim, me sinjalistikën e duhur dhe pranohet dhe nga specialistët se është më me standarde se në Shqipëri. Përgjatë autostradës janë ngritur tri fabrika të mëdha të prodhimit të asfaltit, që prodhojnë 800 tonë në orë. Gjithashtu, janë bërë 56 milionë euro shpronësime.

IMPAKTI

Sot sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë hyjnë 40% e importeve nga vendet e BEsë dhe këto vijnë nga portet greke. Kjo rrugë shihet si domosdoshmëri për zhvillimin e Kosovës, pasi asaj i mungon lidhja me detin, si dhe lidhjet e tjera me rrugë ujore apo hekurudhore. Pas përfundimit të autostradës, lidhja e Prishtinës me Portin e Durrësit do të bëhet brenda tri orëve. Por duke pasur parasysh dhe shfrytëzimin e Portit të Shëngjinit, Kosova mund të thuhet me plot gojën se ka një dalje të shpejtë e të sigurt në det. Por, rruga shikohet dhe më gjerë se bashkëpunimi Shqipëri– Kosovë. Ajo shihet si projekti më i madh rajonal që do të sjellë impakte zhvillimi dhe për vendet e tjera fqinjë. Kosova do të ketë më shumë akses në tregjet ndërkombëtare dhe Shqipëria do të ketë një bum të zhvillimit të turizmit. Vetëm në vitin e parë të vënies në punë të autostradës në Shqipëri, në sezonin e verës vërshuan drejt brigjeve shqiptare mbi një milionë turistë nga Kosova. Për shqiptarët e Kosovës, por dhe për banorët e Veriut të Shqipërisë, kanë marrë fund një herë e mirë netët jashtë në akull e dëborë, grabitjet dhe aksidentet. Por edhe për vlonjatët e gjirokastritët, Prishtina dhe Kosova janë fare afër. Zonat ku kalon autostrada, kanë përfituar nga ndërtuesit në rrugë të brendshme, shkolla, ujësjellës. Kjo autostradë cilësohet edhe nga vetë specialistët e firmës ndërtuese si më e avancuar se autostradat që vetë firma ka bërë më parë në Kroaci dhe Shqipëri. Autostrada Durrës-Kukës- Morin ka dhe veprën më të rëndësishme dhe unikale në Ballkan, siç është tuneli i Kalimashit, i gjatë 5.6 km, me dy galeri.

Historia e “Rrugës së Kombit”

Tentativat për ndërtimin e “Rrugës së Kombit” në Shqipëri nisën që në vitin 2003, por ecuria e punimeve ishte me “hapin e breshkës”, sepse nuk kishte një ide fikse se si do të ndërtohej rruga dhe ku do gjendeshin paratë. Në atë kohë, makineri të rënda të ushtrisë shqiptare gërryen deri në afërsi të Rubikut trasenë e rrugës, por më pas punimet u pezulluan derisa në vitin 2007 ato nisën në mënyrë intensive. Faktikisht, edhe shteti komunist i viteve ‘80 kishte hartuar një projekt-ide të kësaj rruge nga specialistë dhe inxhinierë ushtarakë, ku ishin tri variante të rrugës, me gjatësi të ndryshme dhe me tunel më të gjatë. Por hulumtimet të çojnë deri në dy shekuj mbrapa, kur Perandoria Turke mendonte se një rrugë duke çarë malin do të ishte më e shkurtër. Vetëm me ndryshimet e reja gjeopolitike në rajon dhe pas çlirimit të Kosovës, autostrada doli si projekti më strategjik i shqiptarëve. Ashtu si në Shqipëri, edhe në Kosovë bërja e autostradës u shoqërua me një sërë polemikash, jo për rëndësinë e saj, por për mënyrën e ndërtimit dhe financimit. E gjithë vepra është financim i qeverisë së Kosovës dhe taksapaguesve kosovarë, dhe pritet të përfundojë vitin tjetër. Konsorciumi turko-amerikan, Becthel Enka, u shpall fitues, pasi kishte ndërtuar pjesën më të vështirë të autostradës në Shqipëri, segmentin Rrëshen-Kalimash mes shumë debatesh, ku opozita akuzoi qeverinë për shpërdorim fondesh, ashtu siç ndodhi dhe në Kosovë.

MORIN-MERDARE
Gjatësia e plotë nga kufiri me Shqipërinë në
atë me Serbinë është 102.8 kilometra
MORIN-SUHAREKË
Gjatësia e rrugës së përfunduar është 34.3
km. Nga 1 orë, tashmë realizohet për 17
minuta
SUHAREKË-PRISHTINË
Mbeten rreth 30 km për t’u përfunduar
autostrada që nis nga Durrësi
VITIN E ARDHSHËM
Pritet që të përfundojë e gjithë autostrada
Vërmicë-Merdare

KUKES/ JONUZ HALLAÇI

 

© Panorama.al

Te lidhura