Shmangia e mbiemrit “maqedonas”, ofendim

Oct 13, 2011 | 17:21

SHKUP- Presidenti Ivanov i dërgon letër kreut te Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso.

Mospërmendja dhe mospërdorimi i mbiemrit “maqedonas” në Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë i ofendon thellë ndjenjat e qytetarëve të Maqedonisë për shkak të mënyrës së emërtimit të gjuhës dhe përkatësisë etnike, të cilat janë çështje të respektimit të të drejtave themelore të njeriut dhe çështje të identitetit njerëzor, shkruhet në letrën e presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov  dërguar kryetarit të Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso.

“Sinqerisht më vjen keq që për herë të dytë Ju drejtohem në këtë mënyrë për një problem, për të cilin ndjej detyrim dhe obligim ndaj qytetarëve të Maqedonisë si president i Republikës së Maqedonisë. Dua të shpreh pakënaqësi nga zbatim selektiv i orientimeve të Kombeve të Bashkuara, që pasqyrohet edhe në raportin e Komisionit Evropian. Disa herë kemi pasur bisedime në këtë temë dhe ndjej obligim që ta shpreh përsëri pakënaqësinë nga mospërmendjea dhe mospërdorimi i mbiemrit “maqedonas” në raportin e Komisionit Evropian”, thotë Ivanov.

Presidenti i Maqedonisë konsideron se praktika e këtillë nuk ndihmon në përpjekjet të cilat i ndërmerr Republika e Maqedonisë për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët të pranueshme për kontestin e imponuar, me të cilin do të zhbllokohet integrimi euroatlantik i vendit.

“Me praktikën e këtillë, Komisioni Evropian mundet në mënyrë plotësuese ta komplikojë edhe ashtu natyrën e ndërlikuar të kontestit të imponuar sepse i prek përcaktimet të identitetit të gjuhës maqedonase dhe përkatësisë etnike, për të cilat është absurde të bisedohet dhe të cilat nuk janë të kyçura në procesin e zgjidhjes së kontestit të imponuar, të zhvilluar në kuadër të Kombeve të Bashkuara”, thekson presidenti Ivanov në letrën dërguar Barosos.

Ai thotë se qëndrimi i tij parimor është se Raporti i Komisionit Evropian paraqet vlerësim real të gjendjeve në shoqërinë e Maqedonisë dhe nivelin e zhvillimit të arritur në pajtim me kriteret relevante për integrimet evropiane.(koha)

 

© Panorama.al

Te lidhura