Itali, vritet shqiptari në pub, në sy të 500 vetave

Jan 9, 2012 | 11:34

Një shtetas shqiptar 32 vjeç u vra natën e së dielës, në një klub nate në Itali. Shtetasi Edmond Shtjefni u qëllua me pistoletë në kokë dhe gjeti vdekjen në Pavia. Krimi i rëndë ka ndodhur në orët e para të së dielës në prani të më shumë se 500 personave të ftuar në klubin e natës. Sipas Policisë dhe medias italiane, dy persona dyshohet se e kanë kryer vrasjen. Ata iu afruan emigrantit shqiptar dhe njëri prej tyre, ndërsa po hiqej sikur donte ta përqafonte, nxori një armë pistoletë dhe e qëlloi në kokë shqiptarin. Klientët e shumtë të lokalit të natës janë befasuar nga skena e krimit të rëndë, ndërsa paniku ka mbizotëruar derisa policia shkoi në vendin e ngjarjes. Policia italiane deklaronte dje se pista e parë e hetimit për vrasjen e shqiptarit është ajo që ka të bëjë me një larje të mundshme hesapesh mes grupeve rivale shqiptare. Viktima mësohet se ka pasur precedentë penalë për vjedhje, ndërkohë që Policia është duke hetuar konfliktet e mundshme të tij. Vrasësit janë larguar menjëherë pasi qëlluan me plumba në kokë shqiptarin. Nuk është e qartë nëse ngjarja në lokalin e natës ka të bëjë me një krim të ndodhur në periferi të Pavias pak orë para ngjarjes në lokal. Vrasja e Edmond Shtjefnit konsiderohet nga Policia e njëjtë me një krim të ndodhur në korrik të vitit të kaluar, kur tre burra iu afruan një shqiptari në një bar dhe e vranë.

© Panorama.al

Te lidhura