
Deputeti socialist, Kastriot Islami, analizon marrëdhënien e kreut të PS-së me aleatët. Sipas tij, sjellja e Ramës është e pasinqertë lidhur me sistemin zgjedhor, gjë që është parë dhe në zgjedhjet e fundit. Duke dhënë disa opsione, Islami shprehet se të vegjlit duhet të shohin mundësinë e krijimit të poleve të reja në politikën shqiptare.
Z. Islami, a mendoni se duhet të ndryshojë sistemi zgjedhor, dhe a do të pranohet propozimi i partive të vogla nga dy partitë kryesore?
Ndryshimi i sistemit zgjedhor është një kërkesë, për të mos thënë presion, tanimë i partive të vogla, veçanërisht e atyre që pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 ndodhen jashtë Kuvendit. Kryesisht e partive të vogla të opozitës, por jo vetëm. Përgjigjja e dy partive kryesore për momentin duket jo e qartë për të mos thënë se është negative, pavarësisht se secila palë përpiqet t’ia lërë fajin palës kundërshtare.
Mund të ketë ndikim në marrëdhëniet mes partive të vogla dhe partive të mëdha, nëse propozimet e të vegjëlve nuk merren në konsideratë, apo ato janë të destinuara të qëndrojnë pranë partive të mëdha?
Një gjë është e sigurt, se ky debat dhe aq më shumë refuzimi i kërkesës së tyre do të jetë me ndikim për suksesin elektoral të dy partive kryesore, por pa asnjë dyshim shumë më tepër për PS sesa për PD. Ky ndikim do të jetë më i madh, nëse kjo përgjigje ndaj të vegjëlve nuk jepet në kohë dhe/ose nuk gjendet një zgjidhje e pranueshme në përpjesëtim të drejtë me pritshmërinë dhe përmasën e tyre elektorale. Kjo sjellje mund të përbëjë edhe faktorin e dytë nga rëndësia për dështimin e PS në zgjedhjet e vitit 2013. Ky presion dhe një ndikim negativ eventual vijnë nga fakti se PS gjatë dy viteve të veprimit të saj radikal jashtë Kuvendit i ka shfrytëzuar maksimalisht drejtuesit e këtyre partive, duke rritur kështu pritshmërinë e aleatëve të saj për t’i bërë pjesë të Kuvendit të ardhshëm, ndërkohë që aktualisht po tenton të krijojë tek ata bindjen se “është Saliu që nuk e pranon kërkesën e tyre”. Një tentativë kjo që vështirësisht do të vazhdojë të besohet prej tyre.
Opozita sikur duket e unifikuar në favor të qëndrimit të partive të vogla, ndërkohë që maxhoranca duket më refraktare. Mendoni se PS ka pranuar ndryshimin e sistemit zgjedhor, nga i cili përfitojnë dhe të vegjlit?
Loja e PS me aleatët e saj nuk duket e sinqertë, ndërkohë që përpjekja për të fajësuar PD është naive. Këtë betejë simetrike “se kush e ka fajin për mosndryshimin e sistemit” me shumë gjasa nuk do të mund ta fitojë PS; Dhe, nëse kjo ndodh, gjë që ka shumë gjasa të jetë kështu, PS-së nuk do t’i mbetej gjë tjetër, veçse të ishte humbësja e madhe e kësaj beteje dhe të shkëmbente me aleatët e saj akuzat për tradhti. Do të ishte e rëndë që alibia e një dështimi eventual në 2013-n të mbështetej nga PS në dy teza, njëra se “zgjedhjet i vodhi Saliu” dhe e dyta se “na tradhtuan aleatët”.
Cila është zgjidhja e sinqertë dhe sjellja luajale e saj me aleatët?
Krijimi i një aleance nga PS me aleatët e saj tradicionalë por jo vetëm, për zgjedhjet e vitit 2013, përmes një procesi transparent dhe një marrëveshje të sinqertë, përbën një nga kushtet e rëndësishme për të garantuar sukses në zgjedhjet e vitit 2013, po ashtu siç ishte mungesa e saj një nga arsyet kryesore të humbjes në vitin 2009. Gjithashtu, për të shmangur një krizë të mundshme, ndoshta edhe më të vështirë për t’u zgjidhur, pas zgjedhjeve të vitit 2013 është e nevojshme që debati për ndryshimin e sistemit zgjedhor… të mos kufizohet vetëm tek interesat e drejtuesve të disa partive të vogla, por të ngrihet në nivelin e kërkesës për një sistem politik më fleksibël e funksional, që shmang krizat që lidhen me bipolarizimin politik të personalizuar, klientelizimin, mungesën e një konkurrimi të ndershëm e të një debati ideologjik e programor, dhe që kanë në themel filozofinë ‘fitorja ime është humbja jote” dhe rezultojnë ciklike bazuar në frymën e një revanshi permanent “këtë herë më fute ti në krizë, herën tjetër do të të fus unë”.
Një parti e vogël çfarë duhet të bënte në një situatë të tillë, kur nuk ka gatishmëri nga dy partitë kryesore për të ndryshuar sistemin zgjedhor?
Gjëja e parë që nuk do të duhej të bënte një parti e vogël, që nuk është në Kuvend, është pikërisht ajo që ka bërë në 2009-n, sepse do të merrte të njëjtin rezultat, pra do të mbetej jo vetëm jashtë Kuvendit, por edhe jashtë jetës politike. Nga një analizë e shkurtër që do bëj më poshtë, del se partitë e vogla të cilat në zgjedhjet e vitit 2009 nuk kanë arritur të kalojnë pragun e 2.5 për qind të votave në shkallë kombëtare, do të jenë përsëri në zgjedhjet e ardhshme përballë tri mundësive: 1) ose të kërkojnë një ndryshim të sistemit zgjedhor përmes një “korrigjimi kombëtar” që e kthen sistemin aktual në një sistem proporcional kombëtar e mundësisht pa prag legal (sepse me prag 2.5 për qind sfida e kalimit të pragut mbetet e konsiderueshme edhe në rastin e “korrigjimit kombëtar”) dhe kjo do të përbënte ndoshta garancinë maksimale për to; 2) të “shkrihen” me partitë kryesore (PD, PS ose LSI) në formën e konfederatave apo të koalicioneve njëngjyrëshe, por me të gjithë avantazhet (avantazhi kryesor do të ishte që vetëm kryetari i partisë do mund të bëhej deputet në zgjedhjet e ardhshme) dhe disavantazhet përkatëse (që kjo skemë nuk ka asnjë garanci, përderisa partitë e vogla do të “vdisnin” përfundimisht dhe ish-kryetari do të gjendej në vorbullën e interesave dhe pasigurive të partisë së madhe) dhe 3) të “amalgohen” midis tyre për të formuar “pole” që mund të jenë të përfaqësuara në Kuvend (kjo është e mundur, po të kemi parasysh se të gjitha partitë e vogla jashtë Kuvendit kanë rreth 15 për qind të votave, aq sa për të formuar 2-4 pole me prezencë kuvendore të qenësishme).
Ka mundësi nga dy partitë e mëdha që të pranojnë opsionin e “korrigjimit kombëtar”?
Opsioni i parë, kërkesa për “korrigjim kombëtar” dhe “pa prag legal” është e vështirë (për të mos thënë e pamundur) të arrihet në praktikë, për shkak të pozicionit kundërshtues të dy partive kryesore, ndërkohë që do të ishte zgjidhja më e suksesshme dhe më e sigurt për një parti të vogël për të mbijetuar si një parti parlamentare. Kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë, madje edhe nëse “korrigjimi kombëtar” do të jetë i pjesshëm apo edhe sikur të ketë një prag (vlera e të cilit është e rëndësishme).
Po opsioni i “shkrirjes” së partive të vogla me partitë kryesore çfarë avantazhesh dhe disavatazhesh ka?
Opsioni i dytë ka të bëjë me aplikimin e një taktike elektorale pa ndryshuar sistemin zgjedhor. “Shkrirja” apo konfederimi i partive të vogla me partitë e mëdha është një opsion që ka ndodhur dhe do të ndodhë edhe në të ardhmen, por është i) një proces që varet nga lloji i konfederimit, ii) një proces që mund të shkaktojë “vdekjen” e partisë së vogël herën e dytë apo të tretë; dhe ii) një proces i dëmshëm relativisht, kur ai nuk kryhet nga PS, PD dhe LSI në mënyrë të njëjtë me aleatët përkatës, sepse ajo parti kryesore që e aplikon, defavorizohet e penalizohet krahasuar (sepse garanton një kryetar partie si deputet, por humbet një mekanizëm apo një “vagon” për të grumbulluar votat për konfederatën) me atë parti që nuk e aplikon, ndërkohë që ajo parti e vogël që “vdes” nuk ka më asnjë garanci apo mekanizëm presioni ndaj partisë kryesore; Ky opsion duhet llogaritur me shumë kujdes që të mos ndikojë negativisht në votat e grumbulluara nga aleatët para dhe pas “shkrirjes”.
Opsioni i bashkimit të partive të vogla më njëra-tjetrën dhe krijimi i një poli, a është një opsion?
Opsioni i tretë, “amalgimi” midis tyre i partive të vogla, është një zgjidhje taktike elektorale me sukses të ndërmjetëm, por me shumë vështirësi për t’u arritur në praktikë për shkak të mosmarrëveshjeve të lidershipit të partive përbërëse. Ky opsion do të balanconte konfiguracionin politik dhe do t’i jepte stabilitet dinamik qeverisjes. Ai grupim partish që do ta aplikonte, mund të siguronte një rol deri “mbretbërës”, së paku në një krah politik.
Si mund të karakterizohet konfiguracioni politik i dalë nga zgjedhjet e vitit 2009?
Nga analiza e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2009, po t’u referohemi partive politike, konfiguracioni politik rezulton pothuajse tripolar si 1) duke iu referuar mandateve të fituara (PD=68 mandate, PS=65 mandate dhe LSI=4 mandate, gjithsej 137 mandate nga 140 deputetë që ka Kuvendi) gjithashtu edhe 2) duke iu referuar votave të grumbulluara (PS=40.85 %, PD=40.18% dhe LSI=4.85 %, gjithsej 85.88 %). Kuvendi përbëhet nga 6 parti, ku përveç tri partive kryesore (PS, PD dhe LSI), kanë marrë nga një mandat PR dhe dy partitë me përqendrim territorial, PDI e PBDNj. Po t’u referohemi subjekteve elektorale (apo koalicioneve zgjedhore), situata paraqitet ekzaktësisht tripolare: 1) si për sa u përket mandateve kur të tri subjektet APN e drejtuar nga PD ka marrë 70 mandate, BPN e drejtuar nga PS ka marrë 66 mandate dhe ASI e drejtuar nga LSI ka marrë 4 mandate, pra 140 mandatet e mundshme; 2) po ashtu edhe për sa i përket sasisë së votave kur APN=46.92%, BPN=45.34% dhe ASI=5.56% ose, në total, 97.81 % të të gjitha votave. Asnjë parti tjetër përveç PD, PS dhe LSI nuk ka mundur të kapërcejë pragun prej 2.5 për qind të votave (më pranë janë PR=2.11% dhe PSD=1.76%). Edhe po t’u referohemi subjekteve elektorale (pra koalicioneve) përveç APN, BPN dhe ASI, asnjë subjekt elektoral apo koalicion tjetër nuk ka mundur të kapërcejë pragun prej 2.5 për qind të votave në shkallë kombëtare.
Nëse në vitin 2009 do të ishte zbatuar një sistem proporcional kombëtar me prag 2.5%, cili do të ishte konfiguracioni politik nëse u referohemi të njëjtave rezultate zgjedhore?
Konfiguracion tripolar të njëjtë do të gjeneronte edhe një sistem proporcional kombëtar, nëse do të vendosej prag zgjedhor prej 2.5% për partitë politike, si në rastin kur ato janë brenda subjekteve, ashtu kur ato janë jashtë tyre. Natyrisht duhet të kemi parasysh se rezultati i partive të vogla do të ishte ndoshta më i mirë në një sistem proporcional kombëtar.
Si mund të futeshin partitë e vogla në Kuvend?
Konfiguracioni politik shumëpartiak mund të gjenerohej vetëm në rastin kur nuk do të kishte prag legal zgjedhor për partitë politike. Nga llogaritjet e kryera me të dhënat nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009 do të rezultonte PS=59 mandate, PD=57 mandate, LSI=8 mandate, 8 parti (PAD, BLD, LDK, PBK, PLL, PDS, G99, PSV91) me 1 mandat, 3 parti (PDI, PBDNJ dhe PSD) me 2 mandate dhe PR me 3 mandate. Në këtë rast, maxhoranca do të formohej nga jo më pak se 5 parti politike.
Çfarë “këshille” do të kishit për partitë e vogla, pasi përshkruat disa nga opsionet e mundshme që do t’i ndihmonin ato për të arritur qëllimet e tyre?
Nuk gjykoj se duhet të jap “këshilla” as për partitë e vogla dhe as për ato kryesoret. Por, nga logjika e analizës së mësipërme, rezultojnë disa përfundime që mund të mbaheshin parasysh. Së pari, partitë e vogla duhet të sqarojnë dhe garantojnë me aleatin e tyre kryesor opsionin e ndryshimit të sistemit zgjedhor që t’u siguronte arritjen e qëllimit. Nëse ky moment nuk është i qartë, atëherë e gjitha pjesa tjetër do të ishte lojë politike e pasigurt për partitë e vogla. Së dyti, objektivat e partive të vogla për t’u realizuar, do të duhej të bashkërendoheshin dhe, në rastin më të mirë, të unifikoheshin midis tyre. Së treti, partitë e vogla duhet të dinë se pavarësisht se çfarë artikulojnë publikisht dy partitë kryesore apo se si akuzojnë njëra-tjetrën për mosndryshimin e sistemit, ato në realitet e konsiderojnë sistemin aktual të favorshëm për interesat e tyre. Së katërti, nëse partitë e vogla nuk ia dalin të ndryshojnë sistemin zgjedhor, atyre u mbeten të aplikojnë në kushtet e sistemit aktual edhe disa opsione taktikash elektorale për të realizuar në një masë të kufizuar dhe të rrezikuar ndjeshëm qëllimet e tyre: i) të “amalgohen” midis tyre për të formuar “pole” që mund të jenë të përfaqësuara në Kuvend dhe/ose iii) të “shkrihen” me një nga partitë kryesore në listën e saj elektorale.
Ka hapësira për mundësi të tjera?
Krahas këtyre mundësive, natyrisht ekzistojnë edhe disa opsione të tjera (ndryshime në sistemin zgjedhor apo taktika elektorale), që mundësojnë realizimin e qëllimeve të partive të vogla duke maksimalizuar suksesin e aleancave të drejtuara nga partitë kryesore… dhe njëkohësisht duke mos prekur ndjeshëm interesat e tyre…
Ju në analizën tuaj nuk përmendët partitë mesatare, si rasti i LSI, çfarë duhet të bënte LSI?
Një pozicion të veçantë në të gjithë këtë proces ka dhe mund të ketë LSI, e cila do të mund të mbetej në shumicën e opsioneve partia “mbretbërëse”… nëse sjellja e saj lidhur me debatin për sistemin zgjedhor dhe/ose lidhur me taktikat elektorale do të ishte inteligjente… së paku nuk duhet të sillet si parti e vogël në këtë proces…
ARISTIR LUMEZI











