“Ishte burrë shteti, liberal”- Ish-truproja rrëfehet për Fatos Nanon: Arrestimi i tij në 93-shin ishte flagrant, nuk krahasohet as me Metën dhe Veliajn

Oct 31, 2025 | 22:17

Politika shqiptare është tronditur sot nga lajmi i ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit dhe ish-kreut të Partisë Socialiste, Fatos Nano, në moshën 73-vjeçare, pas problemeve të rënda shëndetësore.

viktor agoli

Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24, ish-truproja e tij, Viktor Agolli, ka ndarë kujtime të rralla nga jeta personale dhe politike e Fatos Nanos, duke e vlerësuar si një “burrë shteti liberal, që nuk u hakmor kurrë edhe pse bëri burg pa të drejtë.”

“Ishte burrë shteti, prishi çdo gjë që kishte ndërtuar në jetën e tij që iu përkushtua shqiptarëve dhe kurrë nuk ishte hakmarrës edhe pse bëri burg të padrejtë.
Administratën e kishte pikë të dobët, me veshjen dhe etikën. Ishte korrekt me të gjithë njerëzit. Kishte raste që punoja krah tij edhe 20 orë. Ishte një njeri që punonte shumë dhe argëtohej shumë,” – rrëfeu Agolli.

Sipas tij, Fatos Nano ishte shumë i kujdesshëm për disiplinën në administratë, kërkonte korrektesë në çdo detaj dhe kishte një raport të veçantë me njerëzit që e rrethonin.

Agolli ka kujtuar edhe momentet e arrestimit të ish-kryeministrit, të cilin e cilësoi si “arrestim flagrant”.

“Nano bëri një turne në të gjithë jugun dhe më pas në veri. Kur u kthye në Tiranë, në qershor, zhvilloi një takim me strukturat e PS-së dhe më pas e thirri prokuroria në orën 12:00. E thirrën për ta pyetur dhe e arrestuan. Ishte arrestim flagrant, s’është asgjë arrestimi i Metës apo Veliajt me këtë rast,” – u shpreh ish-truproja e tij.

Sipas Agollit, Nano e kishte parandier arrestimin dhe ishte përgatitur fizikisht e mendërisht për ta përballuar:

“Bënte çdo ditë stërvitje në shtëpi që të përballonte burgun. Ishte gati për çdo gjë,” – tregoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura