Investimet në Tiranë, ja projektet

Oct 25, 2011 | 13:29
Basha e Granof dje gjatë takimit

Tri projekte madhore për zhvillimin e Tiranës. Për to Bashkia do të ketë mbështetjen edhe të Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve. Në fokus do të jetë zhvillimi ekonomik, përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve si dhe modernizimi i infrastrukturës. Këto do të jenë tri shtyllat ku do të përqendrohen investimet në shërbim të komunitetit në kryeqytet. “Identifikuam një numër projektesh me interes të përbashkët dhe pres që së shpejti bashkëpunimi ynë të marrë formë konkrete, ku si Fondi dhe Fondacioni të bashkëfinancojnë me Bashkinë e Tiranës projekte në fushën e rritjes dhe zhvillimit ekonomik, stazheve të punësimit për të rinjtë, zhvillimit të infrastrukturës së brendshme të lagjeve të qytetit, projekteve të mëdha të infrastrukturës së jashtme”, tha dje Lulzim Basha gjatë takimit me drejtuesit e Fondit dhe Fondacionit shqiptaro-amerikan. Basha i njohu drejtuesit e Fondit me planet e zhvillimit të qytetit, me projektet strategjike si dhe me prioritetet për përmirësimin e cilësisë së jetës. Kryetari i Bashkisë u ndal në veçanti në projektet e infrastrukturës, si zgjatimi i bulevardit, ndërtimi i parkut të ri të Tiranës, tramvaji, ndërtimi i stacionit të ri të trenit  si dhe në planet e zhvillimit ekonomik dhe të punësimit, të cilat janë prioritet të Bashkisë së Tiranës. Basha nënvizoi se si Fondi, ashtu edhe Fondacioni mund të financojnë dhe bashkëfinancojnë me Bashkinë e Tiranës projekte në fushën e rritjes dhe zhvillimit ekonomik, punësimit, stazheve të punësimit për të rinjtë, zhvillimit të infrastrukturës së brendshme të lagjeve të qytetit, projekteve të mëdha të infrastrukturës së jashtme, zhvillimin social-kulturore etj.

Projektet
.Rritja e zhvillimit ekonomik

.Nxitja e punësimit

.Stazhet e punësimit për të rinjtë

.Zhvillim i infrastrukturës së brendshme të lagjeve
të qytetit

.Projekte  të infrastrukturës :

.Zgjatimi i bulevardit

.Ndërtimi i parkut të ri të Tiranës

.Tramvaji, ndërtimi i stacionit të ri të trenit

.Zhvillimi social-kulturore

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura