“Intervista e Ahmetajt, ‘autopsia’ e vjedhjeve dhe korrupsionit të Ramës” – Berisha: Durana e Troplinëve me Ergys Agasin ka kontrolluar çdo të dhënë të shtetit

Jan 10, 2026 | 15:02

Për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaratat e ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, janë një “autopsi” për vjedhjet dhe korrupsionin e Edi Ramës.

berishaaa

Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, Berisha u shpreh se faktet e bëra publike nga Ahmetaj tregojnë se shteti shqiptar është vënë nën kontrollin e grupeve kriminale të lidhura me pushtetin. Ai përmendi konkretisht grupin e Troplinëve, të cilët, sipas Berishës, me Duranën dhe Ergys Agasin kanë ushtruar kontroll mbi të dhëna të rëndësishme shtetërore, duke përmendur dosje të Prokurorive dhe gjykatave.

“Intervista e zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj ishte autopsia më e thellë e vjedhjeve dhe korrupsionit të Edi Ramës me dosje, me dokumente dhe fakte. A mund të imagjinoni ju, Durana zona teknologjike e Durrësit, de facto territor komplet i Troplinëve, të cilët me Agasin kanë kontrolluar çdo të dhënë të këtij shteti nga dosjet më sekrete të prokurorive, gjykata, shërbimit të fshehtë tek çdo lloj e dhënë tjetër. Durana e Edi Ramës me Troplinët. Ato dosje janë një aktakuzë më e rënda edhe për sistemin e kapur të drejtësisë.”, u shpreh Berisha.

Berisha theksoi se dosje përbëjnë një aktakuzë të rëndë edhe për sistemin e drejtësisë, që sipas tij, ka dështuar të veprojë pavarësisht denoncimeve të shumta. Berisha përmendi si shembuj çështjet e Porto Romanos dhe Ekoparkut në Durrës, të cilat theksoi se janë denoncuar dhjetëra herë me dokumente dhe prova, pa asnjë reagim nga institucionet.

“Sa herë është denoncuar dosja e Porto Romanos? E Ekoparkut në Durrës? Me dhjetëra, në mos qindra herë. Me dokumente, me çdo gjë. Asgjë nuk ndodh. Pse? Se është direkt Edi Rama dhe thjeshtra të implikuar në të. E njohur kjo. 15 mijë euro kamera e policit, u garantoj që kush në botë në asnjë vend nuk e vendosin policët 15 mijë euro kamera. Po ka kjo? Është njëlloj si historia e kapeles së policit. Polici suedez, kapelja e tij 15 euro. Kapelja e policit shqiptar 320 euro me Plarentin që kalon nga një studio në tjetër, një hajdut i shpifur që ka ndarë paratë me Ramën. Të gjitha këto kanë vetëm një konkluzion.”, u shpreh ai.

Në fund, shtoi se është vetëm populli që duhet t’i japë përgjigjen e merituar kryeministrit.

“Është populli dhe vetëm populli ai që duhet t’i japë Edi Ramës ndëshkimin e merituar, largimin e tij një minutë e më parë nga pushteti.”, tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura