Aktivistja Sidorela Vatnikaj: Jemi në mbështetje të institucioneve të Drejtësisë, por kemi një kërkesë, “Hetoni Ramën!” SPAK po vepron te KKT dhe AZHT

Jul 22, 2026 | 20:36

Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka reaguar për zhvillimet e fundit lidhur me veprimet hetimore të SPAK dhe BKH në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit (AZHT) dhe Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujërave (KKTU), duke i cilësuar si një sinjal pozitiv.

Nga protesta, Vatnikaj deklaroi se këto institucione kanë një rol kyç në vendimmarrjet për zhvillimin e territorit, dhe se të gjitha projektet e miratuara, janë me firmë të kryeministrit Rama.

“Në këto institucione kalojnë vendimet më të rëndësishme për zhvillimin e territorit, të gjitha me firmën e kryeministrit Rama. Në këto institucione miratohen kullat, resortet dhe të gjitha projektet strategjike. Pikërisht për këto institucione i drejtohemi institucioneve të drejtësisë që të verifikojnë nëse janë respektuar ligji, procedurat, transparenca dhe interesi publik”, tha ajo.

Më tej, aktivistja theksoi se protestuesit mbështesin drejtësinë, por kanë një kërkesë thelbësore, duan hetimin e kryeministrit Edi Rama.

“Dhe, si ditën e parë, i drejtohemi institucioneve të drejtësisë se jemi në mbështetje, por kemi një kërkesë: “Hetoni Ramën””, përfundoi ajo.

Aktivistja Vatnikaj: Falë mbështetjes që kemi marrë deri më tani, mendoj se sot është një ditë e rëndësishme për të folur dhe për të nxitur. Lajmi se SPAK dhe BKH po kryejnë veprime hetimore në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit dhe në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujërave është një sinjal shumë pozitiv.

Prej kohësh kemi thënë se pikërisht në këto institucione kalojnë vendimet më të rëndësishme për zhvillimin e territorit, të gjitha me firmën e kryeministrit Rama.

Në këto institucione miratohen kullat, resortet dhe të gjitha projektet strategjike. Pikërisht për këto institucione i drejtohemi institucioneve të drejtësisë që të verifikojnë nëse janë respektuar ligji, procedurat, transparenca dhe interesi publik.

Për këto arsye, fakti që këto institucione janë sot në fokusin e SPAK-ut është për t’u përshëndetur. Hetimet duhet të shkojnë deri në fund, pa bërë përjashtime dhe pa standarde të dyfishta. Dhe, si ditën e parë, i drejtohemi institucioneve të drejtësisë se jemi në mbështetje, por kemi një kërkesë: “Hetoni Ramën”.

© Panorama.al

Te lidhura