“Historinë s’e ndryshoni dot me falsifikim dokumentesh”- Aktivistja Kokaj mesazh Ramës: Çështja e pronave të Rrjollit në Gjykatën e Lartë, nuk do t’i gëzoni! ! Behu burrë dhe hajde tako malësorët dhe jo zarat e tu

Jul 22, 2026 | 20:55

Aktivistja Luçiana Kokaj tha sot nga sheshi i protestës në ditën e 53-të të revoltës popullore para Kryeministrisë, se çështja e pronave të Rrjollit ka kaluar të gjitha fazat e drejtësisë dhe tani ndodhet në Gjykatën e Lartë, kurse oligarkët dhe pushtetarët e implikuar, nuk do t’i gëzonin dot.

Ajo vuri në dukje se ishin kryer shumë vepra penale e falsifikime për t’i tjetërsuar pronat e Rrjollit, duke shtuar se banorët posedojnë dokumente prej dhjetëra vitesh të trashëguara për ato prona.

“Kryeministri bëri një takim atje me administratën dhe me zyrtarët vendorë (Theth). I jap një përgjigje kryeministrit, se ne nuk kemi një dokument të vetëm, por kemi të gjitha dokumentet për t’u kthyer pronat ish-pronarëve. E dini cila është përgjigja që japin kur shkon atje për pronën, se nuk e japin dot pronën. Do ishte një deputet i Parlamentit shqiptar ai që do merrte pronën atje në Rrjoll. E dini se çfarë ndodh, u mbyll hetimi dhe prokurorët që u shkarkuan nga Vettingu u bënë avokatë të kompanive që morën pronën atje. Ne nuk kemi një dokument zoti kryeministër, ne kemi të gjitha dokumentet që në kohën e komunizmit kur u morën ato prona. Ne kemi vendime gjykate zoti kryeministër për pronat tona, çështja e jonë është në Gjykatën e Lartë”, ishte mesazhi i Kokajt për kryeministrin.

Më tej ajo i bëri apel kreut të qeverisë që të takohej me burra të vërtetë dhe jo me “zarat” e tij të administratës, duke i kujtuar takimin e Thethit.

“Gjithmonë kemi pasur përballë njerëz sharlatanë që rrinë afër jush zoti kryeministër. Zoti kryeministër, bëhu burrë dhe hajde tako malësorët dhe jo zarat e tu! Historinë nuk e ndryshoni s me hipoteka dhe as me dokumente të falsifikuara. Zoti kryeministër, kur flet për tokat e Rrjollit mendoje mirë, pyet ata njerëzit e ty që janë të përfshirë aty para e të flasësh. Sepse nuk e ndryshoni dot historinë dhe as të vërtetën. Dhe ta dini mirë ju dhe oligarkët e tjerë se tokën e Rrjollit nuk do ta gëzoni. Rrjolli është zonë e mbrojtur”, u shpreh aktivistja.

luciana

Kokaj në fund i kujtoi kreut të qeverisë se edhe BE e kishte urdhëruar që të bënte ndryshimet e duhura në ligjin për zonat e mbrojtura dhe jo siç pretendonte ai. Ajo e paralajmëroi Ramën që të mos bënte gabime me pronat dhe zonat e mbrojtura në Shqipëri.

“BE i ka kërkuar kryeministrit të bëjë ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura dhe të ndalojë ndërtimet në zonat e mbrojtura. Ndaj mos bëj gabime me zonat e mbrojtura dhe as me pronat”, u shpreh Kokaj.

 

© Panorama.al

Te lidhura