Interi do që të hipotekojë kualifikimin, Kivu ende me dyshime për formacionin kundër Liverpulit

Dec 9, 2025 | 10:15

Pas humbjes së rëndë në Madrid kundër Atletikos së Simeones, Interi i Kristian Kivut kërkon menjëherë kthesën në Champions League.

inter

Të martën mbrëma, në një “San Siro” të tejmbushur, zikaltërit presin Liverpulin, skuadër e madhe në Europë, por e tronditur nga tensionet e brendshme dhe me trajnerin Slot në rrezik shkarkimi. Kivu nuk shikon te kundërshtari: synimi është i qartë, sigurimi sa më i shpejtë i kualifikimit në 1/ 8-at e finales. Interi mburret me një ecuri prej 18 ndeshjesh radhazi pa humbje në shtëpi në Champions, megjithëse përballja e fundit me “Reds” në Milano (shkurt 2022) përfundoi 0-2.

Në formacion mund të mungojë Akanzhi, i goditur nga gripi; në vend të tij gati Bisek, me Açerbin dhe Bastonin në mbrojtje. Në krahun e majtë, Karlos Augusto sfidon Luis Henrike, ndërsa Mkhitarjan pritet të rikthehet titullar në mesfushë. Përpara, Boni pret shansin, por Kivu konfirmon sërish dyshen ThuLa. Lautaro, autor i tetë golave në pesë ndeshje të Champions-it në “San Siro” këtë vit, kërkon të ndjekë gjurmët e Shevchenkos në serinë e rekordit të golave në shtëpi.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura