TIRANË- Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja ka bërë apel sot për gjithë qytetarët që nuk janë regjistruar të bëhen pjesë e Censusit, qe zgjat deri ne fund te tetorit, duke kujtuar se për ata që nuk i përgjigjen thirrjes së anketuesve disa herë me radhë do të veprojë ligji.
Gjatë një konference për shtyp, pavarësisht datës së vendosur prej INSTAT për mbylljen e regjistrimit, Nurja ka deklaruar se procesi nuk është shtyrë, pasi në ligj është parashikuar zgjatja 4 javë.
“Procesi ka ecur mjaft mirë, sipas parashikimeve tona, shumë shpejt do të japim të dhëna rreth tij. Theksoj se procesi do të zgjasë 4 javë. Kjo që vjen, është java finale, që do të shërbejë për të mbledhur të dhënat nga anketuesit dhe përgatitjen e raporteve. U bëj thirrje individëve dhe familjarëve që nuk janë regjistruar të kontaktojnë me numrat falas të vendosur nga INSTAT”- tha ajo.
Sipas saj, cdo individ të bëhet pjesë e procesit që zhvillohet një herë në 10 vjet, pasi duhet të dimë sa jemi dhe si jetojmë.
Pyetur për deklaratat e AK që e ka cilësuar procesin të dështuar, Nurja ka theksuar se “Procesi nuk quhet dështim. Java e fundit do të kompletojë gjithcka dhe ata që nuk janë regjistruar, për shkak se nuk janë gjetur në familje, kemi vënë në dispozicion numrat për kontaktim”.
Sipas saj, për shkak se në terren është punuar mbrëmë deri vonë, nuk kanë mbërritur të dhënat e fundit. “Anketuesit do të shkojnë në familje, do komunikohet deri në fund me ta, ligji aty është nëse personat refuzojnë 3-4 herë do të ketë zbatim të ligjit”- ka thënë ajo.
© Panorama.al











