INSTAT: Pse e shtymë censusin

Oct 23, 2011 | 12:11
Census

“INSTAT nuk ka dështuar me regjis-trimin e popullsisë dhe të banesave. Procesi ka ecur sipas parashikimeve dhe shtyrja e afatit në përputhje me ligjin do të mundësojë që të bëhen pjesë e tij edhe ato familje që nuk u janë përgjigjur ende anketueseve”. Këtë deklaratë bëri dje, një ditë pas përfundimit të afatit për censusin, Ines Nurja, drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Statistikës. Plot 21 ditë pas punës në terren, drejtoresha tha se puna më e madhe është kryer, por ende kanë mbetur familje pa u regjistruar. Ky fenomen, sipas saj, për shkak të kushteve të jetës, është më i përhapur vetëm në qytetet e mëdha.  “Ligji mbi censusin parashikon që ky proces do të zgjasë 4 javë, pra deri në fund të tetorit. Java finale, që është java e fundit, do të shërbejë për të mbledhur të dhënat nga anketuesit dhe stafi i ndihmës së INSTAT-it dhe për të bërë gati të gjitha raportet përfundimtare me punën e tyre”, tha Nurja. Sipas saj, nuk ka vend të quhet dështim sepse mund të ketë në qytete të mëdha njerëz që punojnë në orare të zgjatura. ”Për këtë arsye, anketuesit kanë shkuar, i kanë lënë letrën poshtë derës. Ata mund të mos kenë marrë në telefon dhe për këtë arsye mund të kenë nevojë për t’u regjistruar. Pra, janë njerëz që akoma nuk janë gjetur në familjet e tyre. Personat që kanë mbetur jashtë do të bëhen se s’bën pjesë e këtij procesi brenda kësaj jave”, tha drejtoresha e INSTAT-it.
Plot 15 mijë anketues që prej 1 tetorit janë në terren duke kryer në bazë të formularëve standarde regjistrimin e popullsisë. Çdo anketues ka për detyrë të marrë të dhënat në 40 familje. Si mjete ndihmëse anketuesit kanë harta dhe foto ajrore të zonës që u është caktuar të punojnë. Regjistrimi është mbështetur financiarisht dhe me asistencë teknike nga Komisioni Europian. Censusi jep një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri. Sa njerëz banojnë në Shqipëri sot dhe si jetojnë ata, për çfarë shërbimesh kanë nevojë ata dhe shumë aspekte të tjera të shoqërisë.

AK: Censusi ka dështuar
Aleanca Kuq e Zi e cilësoi dje procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët, si një proces “antikushtetues e antikombëtar”, por dhe “të dështuar”. “Në këto kushte, merr përsipër hartimin e një platforme për realizimin në të ardhmen të një regjistrimi të popullsisë e banesave, ku në thelb të jetë nxjerrja e besueshme e një numri real të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Ballkan, por dhe në emigracion”, deklaroi përfaqësuesi i Aleancës Kuq e Zi, juristi Ardian Leka. Sipas AK, nga procesi i deritanishëm, “65% e popullsisë ka refuzuar të regjistrohet, ndërsa 25% nuk është regjistruar për shkak të pamundësisë ose me dashje të ekspertëve që nuk kanë vajtur në shtëpitë”. Leka identifikon dhe shkeljet kur gjatë këtij procesi një person është përgjigjur për gjithë familjen, pallatin e më gjerë.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura