TIRANE- INSTAT njoftoi sot se ecuria e deritanishme e censusit është e kënaqshme dhe mbi mesataren e përllagaritur deri në këtë datë. Gjatë një konference për shtyp, zëhdënësja e INSTAT tha se deri në këto momente në të gjithë Shqipërinë është bërë numërimi i 79.6% të banesave.
“Disa rrethe kanë një ecuri mbi këtë mesatare siç janë, Dibra, Saranda, Korça Durrësi, Lezha etj, Ndërsa disa rrethe të tjera si Puka, Tropoja dhe Gjirokastra, për shkak të terrenit të vështirë apo intensitetit të lartë të banesave janë nën këtë mesatare.”- tha zëdhënësja e INSTAT.
INSTAT ka bërë edhe njëherë me dije se pyetësori është ndërtuar në bazë të standarteve ndërkombëtare, ku si parim bazë është deklarimi i lirë, ndaj janë ftuar të gjithë qytetarët që të marrin pjesë dhe tu përgjigjen të gjitha pyetjeve.
INSTAT theksoi se të gjitha familjet që deri më datë 21 tetor nuk janë kontaktuar nga anketuesit e INSTAT, mund të telefonojnë falas nga ora 8:00 deri në 22:00 për cdo nevojë apo informim të publikut për censusin.
© Panorama.al











