
Kujdesuni në gjithçka konsumoni gjatë ditës. Primare? Larja e duarve në mënyrë të vazhdueshme. Shmangia e kontaktit me kafshët, qofshin ato shtëpiake apo të rrugës, janë mundësitë e arta që ju mbrojnë nga infeksionet…
Shtimi i rasteve të infeksioneve në radhët e pacientëve, thuajse të të gjitha grupmoshave, ua ka shtuar punën mjekëve infeksionistë në kryeqytet. Jo vetëm përhapja demografike, por edhe rritja e numrit të të prekurve ka bërë që mjekët të japin këshilla sa të munden në lidhje me mënyrën se si të ruhemi nga infeksionet e mundshme që emeton ambienti përreth, kujdesi me higjienën personale, konsumimi i produkteve të pastruara dhe të freskëta nga frigoriferi, e deri tek shmangia e kontakteve me kafshët e ndryshme, si qeni apo macja. Mjekja infeksioniste pranë Spitalit Infektiv në QSUT, Elda Qyra, jep disa këshilla të vlefshme.
* * *
Mëngjes i freskët dhe drekë e ngrohtë nën efektin e rrezeve të diellit… Ulje e temperaturave dhe rritje e tyre gjatë mesditës… Përpara se t’i gëzohemi diellit përkëdhelës, duhet pikë së pari të preokupohemi për faktin se asnjë luhatje temperaturash nuk është fort e dobishme për shëndetin tonë. Pikërisht mungesa e qëndrueshmërisë së temperaturave në këtë periudhë stinore çon shpesh në shfaqjen e kësi simptomash: si ngritje e temperaturës trupore, skuqje apo qelbëzim i bajameve, dhimbje koke, kollë e fortë e deri dhimbje barku. Të gjitha këto shenja, nëse nuk zbehen me përkujdesjen vetjake në kushtet e shtëpisë, një çaj i ngrohtë apo konsum i paracetamolit apo aspirinës, duhet të na shtyjnë drejt vizitave mjekësore më të specializuara. Mjekja infeksioniste, Elda Qyra, thekson se simptomat e ngjashme me atë të një gripi të zakonshëm mund të jenë edhe shenja të një infeksioni të mundshëm apo mikrobi që është futur në organizëm. “Konsumimi i ujit të pijshëm direkt nga rubineti apo ngrënia e ushqimeve të konservuara qoftë në shtëpi, apo jashtë saj, moslarja e vazhdueshme e duarve, janë burime dhe shkaktarë të drejtpërdrejtë të infeksioneve në trupin e njeriut. Nuk përjashtohet mundësia e temperaturave të paqëndrueshme, të cilat në të shumtën e rasteve acarojnë gjendjen shëndetësore. Ajri në qarkullim, herë i ngrohtë dhe herë i ftohtë, çon në shfaqjen e virozave apo infeksioneve në rrugët e sipërme respiratore të tipit rinit, skuqje e fytit, infeksione të rrugëve të frymëmarrjes, bronkite dhe bronkopneumoni. Ndërsa, mikrobe të tjera që japin infeksione janë salmonela, shigela, E. Coli etj. Kryesisht analizat e kopro-kulturës, ato bakterologjike, apo skopia e mushkërive përcaktojnë tipin identik të infeksionit”, thekson doktoresha. Nuk mund të pretendohet për një kategorizim të infeksioneve sipas moshave, sepse ato prekin të gjitha grupmoshat, nga të vegjlit e fëmijët, tek personat e moshës së tretë. Sipas mjekes, evidentohet një shtim i rasteve të të prekurve, pse jo edhe një shtrirje më e gjerë në aspektin demografik e tyre. Sepse vetw ambientet që frekuentohen, janë të predispozuara për transmetimin e një mori infeksionesh, të cilat shfaqen jo vetëm në rrugët e frymëmarrjes, por edhe me ekzema në lëkurë. “Kemi pasur raste të pacientëve, të cilët kanë frekuentuar një zonë jashtë Tiranës, për cilëndo arsye personale, dhe janë pickuar nga një mushkonjë apo një këpushë. Nga pakujdesia apo jo, kjo bën të mundur transmetimin e mikrobit, i cili futet në organizëm dhe bën acarimin e gjendjes shëndetësore. Sigurisht, nëpërmjet mjekimeve të specifikuara, arrihet në një përmirësim të pacientit”, vijon Qyra. Duket se një nga kategoritë më delikate, në lidhje me kurimin e infeksioneve të ndryshme janë pacientët që vuajnë nga diabeti. Ky i fundit ul aftësinë e organizmit për të luftuar infeksionet. “Mund të ndodhë që një infeksion i mishrave të dhëmbëve, i gojës, i thonjve të këmbës, i mushkërive etj., të rëndojë së tepërmi jetën, sidomos të një pacienti të sëmurë nga diabeti, i cili e ka edhe më të vështirë kurimin e sëmundjes, si pasojë e sistemit të dobët reagues imunitar dhe nivelit të sheqerit në gjak shpesh të luhatshëm. Individët e sëmurë me diabet duhet të bëjnë doemos kujdes në drejtim të mbrojtjes së vetes nga infeksionet dhe sigurisht, në emër të shëndetit dhe mirëqenies së tyre fizike”, përfundon mjekja infeksioniste.
Keshilla
Larja e duarve
Larja e vazhdueshme, disa herë në ditë e duarve, me sapun të thatë apo të lëngshëm, është parësore për të shmangur mikrobet e mundshme që gjenden në to. Ambientet më të frekuentuara gjatë përditshmërisë, në punë, shkollë, bare etj. kthehen në shkaktarët seriozë të infeksioneve të ndryshme. Andaj bëni kujdes me pastërtinë e duarve.
Dezinfektimi
Dezinfektimi i hapësirës së shtëpisë, me solucione që blihen enkas në farmaci, është vërtet i këshillueshëm. Sepse dezinfektimi qoftë edhe një herë në muaj, i mbron të gjithë pjesëtarët e familjes nga mikrobet që mund të gjenden përreth.Kujdes nga qendrat sanitare
Duhet të bëni kujdes kur shkoni të vizitoheni në qendrat sanitare të lagjes apo më gjerë. Pastërtia dhe larja e menjëhershme e duarve, pas përfundimit të vizitës mjekësore, është tepër e rëndësishme, sepse të gjitha mjetet mjekësore janë vatra serioze mikrobesh, që duke kaluar nga një pacient te tjetri, bëhen të rrezikshme. Përpara se të vizitoheni te mjeku stomatolog, duhet të kujdeseni për sterilizimin e mjeteve të punës, sepse transmetimi i hepatiteve është i drejtpërdrejtë në rastet e pakujdesive të mundshme.Blini ose zieni ujin e pijshëm
Shmangni konsumin e ujit të pijshëm direkt nga rubineti. Në pamundësi të blerjes së tij, të paktën duhet të mjaftoheni me një zierje të ujit për disa minuta përpara konsumimit.
Larja e ushqimeve me ujë të bollshëm dhe ruajtja e tyre në temperatura të freskëta, kryesisht në frigorifer, bën të mundur mbrojtjen nga mikrobet e mundshme përpara ngrënies apo gatimit të tyre.Kujdes nga kafshët shtëpiake
Duhet të shmangni me çdo kusht kontaktin me kafshët shtëpiake apo ato të rrugës. Të gjithë jemi të rrezikuar prej tyre, edhe nëse kafsha mund të jetë e vaksinuar, sepse mund të ndodhë transmetimi përmes prekjes së qimeve të tyre, dhe në momentin që hyn në organizëm, kthehet në problem delikat dhe mund të prekë organe të ndryshme. Qentë e rrugës janë shumë të rrezikshëm.WC-të publike
Shmangni përdorimin e tualeteve publike. Janë rrezik i qenësishëm për burim infeksioni.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al












