
Berisha: Investimi më i madh në energji prej 30 vjetësh.
Hidrocentrali i Ashtës, i inauguruar ditën e djeshme, do të sigurojë energji për 100 mijë familje. Në ceremoninë e rastit morën pjesë Kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, homologia e saj austriake, Barbara Prammer dhe të tjerë të ftuar. Në fjalën e tij, Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi investimin e Ashtës si më të madhin në sektorin energjetik të bërë në 30 vitet e fundit në vendin tonë. Ai vlerësoi dy kompanitë investitore në këtë vepër, austriaket “Verbund” dhe “EVN”, të cilat në një afat 30-mujor arritën që të ndërtonin këtë hidrocentral me fuqi të instaluar prej 53 megavatesh dhe që do të gjenerojë 240 milionë këh energji në vit. “Ne inaugurojmë këtu një kryevepër të vërtetë të energjetikës në Shqipëri, në Europë e më gjerë, hidrocentralin ‘Ashta’, më i madhi që ekziston sot, me teknologjinë e turbinave ‘Matrix’. Hidrocentrali ‘Ashta’ përbën njëkohësisht një kryevepër të zhvillimit të qëndrueshëm. Ky hidrocentral ka respektuar standardet më të larta të mbrojtjes, respektit dhe zhvillimit të mjedisit”, u shpreh Kryeministri. Investimi i Ashtës mbetet aktualisht investimi më korrekt në sektorin energjetik, edhe pse koncesione të kësaj natyre qeveria ka dhënë në një masë të madhe. Kompanitë austriake ndërtuese të Ashtës kanë investuar 200 milionë euro dhe kanë respektuar çdo afat, ndërkohë që për shumë koncesione të tjera, vonesat në afate, apo dhe më keq, dështimet, kanë qenë prezente. Gjithsesi, kreu i qeverisë në inaugurimin e Ashtës solli edhe një herë në vëmendje se qeveria vijon të ketë prioritet këtë sektor. “Në një hark kohor të shkurtër, qeveria ime ka firmosur me sektorin privat rreth 120 kontrata, për ndërtimin e mbi 332 hidrocentraleve me kapacitet mbi 1400 megavat dhe investim prej rreth 2.4 miliardë eurosh”, tha Berisha. Me rastin e inaugurimit të hidrocentralit të Ashtës foli edhe kryeparlamentarja austriake, Prammer. “Për mua sot është një gëzim i madh që marr në këtë fesë të madhe për Shqipërinë, por edhe për firmat austriake. Është festë e miqësisë mes Austrisë dhe Shqipërisë dhe mat besimin e investitorëve austriakë në vendin tuaj. Është një projekt që pret për një besim të ndërsjellë dhe besim të Shqipërisë për sipërmarrësit austriakë”, tha Prammer, duke vlerësuar rëndësinë që ka energjia e rinovueshme.
“Matrix”
Ashta për herë të parë në Shqipëri fut konceptin e teknologjisë më të avancuar, “Matrix”. Kjo ka të bëjë me përdorimin e turbinave të vogla që bëjnë të mundur shfrytëzimin më eficent të sasisë së ujit që kalon nëpër to, duke e kthyer atë në energji. Pra e njëjta sasi uji në një turbinë të zakonshme dhe në një turbinë “Matrix” prodhon më shumë energji tek e dyta.
Haxhinasto-Asadov per TAP
Zëvendëskryeministri dhe njëkohësit ministër i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, priti dje në një takim kryetarin e Parlamentit të Azerbajxhanit, Ogtay Asadov dhe delegacionin e tij shoqërues. Ndër pikat kryesore të takimit ishte ajo e intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy shteteve. “Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit po zhvillohen në një klimë të përshtatshme bashkëpunimi dhe kjo vizitë do t’i shërbejë krijimit të partneriteteve të reja në sektorin ekonomik mes dy vendeve”, tha Haxhinasto.











