Ina Rama: S’ka shpërblime për hetuesit

Oct 17, 2011 | 11:52

Më 19 shtator 2011, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka dhënë një urdhër me nr.1, sipas të cilit oficerët e Policisë Gjyqësore që kryejnë hetimet në Prokurori, humbasin çdo shans për shpërblim financiar gjatë këtij viti. Sipas udhëzimit të Kryeprokurores, i cili është i detyrueshëm për zbatim nga organet e varësisë, hetuesit mund të përfitojnë shpërblim financiar në punë vetëm nëse dëshmojnë se kanë aftësi jo të zakonshme!!! Me sa duket, për shkak të kufizimeve të ndjeshme buxhetore këtë vit, Kryeprokurorja ka urdhëruar që drejtuesit e Prokurorive të të gjitha hallkave për të vlerësuar meritat profesionale të oficerëve të Policisë Gjyqësore, duhet të evidentojnë një nga këto kritere a) njohuri dhe zotërim të kompetencave të specializuara, jo të zakonshme, në lidhje me teknologjitë speciale dhe disiplinat teknike; b) prodhimtari më të lartë se mesatarja ose angazhim për të punuar jashtë orarit; c)menaxhim shumë i mirë i çështjeve komplekse, për shkak të numrit, rëndësisë ose ndjeshmërisë së krimeve, numrit të të pandehurve, implikimeve ndërkombëtare, kërkimit të analizave ose vlerësimeve të provave të shumta, situatave emergjente dhe rrezikshmërisë që lidhet me veprimtarinë; ç) rezultatet e arritura në koordinimin e grupeve të mëdha hetimore dhe bashkëpunimin me grupe të tjera, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar; d) cilësinë e akteve procedurale të nxjerra. Me fjalë të thjeshta, një hetues duhet të ketë aftësitë e gjeniut për të përfituar shpërblim për punën e bërë. Ndërkohë që në praktikën e rutinës së përditshme të punës në Prokurori, kriteret e shpërblimit për oficerët e Policisë Gjyqësore kanë qenë më “tokësore” dhe niseshin nga rrezikshmëria e dosjes së hetuar, volumi i veprimeve hetimore, shkalla e vështirësisë dhe puna jashtë orarit apo në ditët e pushimit zyrtar. Në udhëzimin e saj, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, thekson se edhe në rastet kur një OPGJ i plotëson kushtet për shpërblim, prokurori i rrethit në prokurorinë ku ndodhet ky oficer hetues, duhet të paraqesë në zyrën e kryeprokurorit të vendit dokumentet që tregojnë “aftësitë jo të zakonshme”. Në udhëzim sqarohet se për ndjekjen dhe zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen drejtuesit e të gjitha hallkave të Prokurorisë, Drejtoria Ekonomike dhe e Financës dhe Drejtoria e Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore në Prokurorinë e Përgjithshme. Burime nga organi qendror i akuzës kanë thënë se udhëzimi në fjalë nuk ka shkaqe të tjera, veç faktit se fondi financiar në dispozicion për shpërblimet e oficerëve apo prokurorëve është minimal për të mos thënë që për këtë vit shpërblimet janë “mollë e ndaluar” jo vetëm në prokurori.

Prokuroria ruhet me policë privatë
Që nga fillimi i këtij viti, godinat e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të tjerat në varësi të saj ruhen me efektiva të policisë private. Qeveria vendosi që Prokuroria të mos ruhet më me policë shtetërorë të sektorit të objekteve, por për këtë u akordua një fond me të cilin u bë tender për të paguar kompaninë private të ruajtjes së sigurisë.

Shpërblimet e para u anuluan në korrik
Në të paktën katër raste, Prokuroria shqiptare ka anuluar këtë vit shpërblimet që u ishin premtuar oficerëve të Policisë Gjyqësore. Mësohet se pak muaj më parë, organi i akuzës ka propozuar shpërblimin e disa oficerëve, në numër të kufizuar, për punën e bërë pa ndërprerje dhe jashtë orarit me një dosje të rëndësisë së veçantë për shkak të personazheve të implikuar. Ndërsa hetuesit vazhdonin punën, prokuroria propozoi shpërblim financiar për ta dhe ky propozim u miratua edhe nga Prokuroria e Përgjithshme. Por në hyrje të 6-mujorit të dytë të këtij viti, organi i akuzës njoftoi OPGJ-të se shpërblimi ishte i pamundur të paguhej për shkak të mungesës së fondeve. Sipas një urdhri të Ministrisë së Financave, administrata shtetërore këtë vit duhet të anulojë të gjithë shpërblimet e dhëna për shkak të programit të ri buxhetor që parashikon shkurtime drastike në fondet që kanë të bëjnë me shpenzimet për shpërblime.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura