
Prokurorja e Përgjithshme, e pranishme në tryezën e djeshme, tha se imuniteti i zyrtarëve pengon Prokurorinë të çojë deri në fund hetimet. “Shprehim nevojën për ndryshimeve ligjore në lidhje me të drejtën e disa zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve për të pasur mbrojtje të veçantë nga ndjekja penale. Mbrojtje që shkon praktikisht deri në pamundësi për organet e hetimit për të mbledhur prova në ngarkim të zyrtarëve që gëzojnë imunitet nga ndjekja penale. Pamundësi gjithashtu për të përdorur hetime proaktive, në rastet kur dyshohet se një zyrtar i lartë apo gjyqtar i të gjitha niveleve se është përfshirë në një aferë korruptive. Të dyja materialet e paraqitura arrijnë në të njëjtin konkluzion, se imuniteti që gëzon kjo kategori e caktuar e zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarët, është i panevojshëm, është pengues për hetimin e rasteve të korrupsionit ndaj tyre, dhe se është e domosdoshme të bëhen ndryshime kushtetuese për heqjen dhe kufizimin e tij”, u shpreh Rama. Ajo mbështeti propozimin për rishikim të rasteve kur imuniteti i gjyqtarëve pengon hetimin e tyre. “Propozimi që Gjyqtarët nuk duhet të arrestohen apo t’ju kufizohet liria e lëvizjes në çfarëdo forme pa autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përveç rastit kur kapen në flagrancë gjatë kryerjes së krimit të rëndë, mendojmë se duhet rivlerësuar duke e hequr këtë lloj garancie”, u shpreh Ina Rama.
“Maxhoranca ka hequr dorë nga imuniteti”
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha dje se qeveria dhe maxhoranaca kanë hequr dorë nga imuniteti, duke kërkuar që kjo të sanksionohet në ligj. “Qeveria dhe gjithë mazhoranca kanë hequr dorë nga imuniteti. E kanë hedhur poshtë zhgunin e imunitetit. Ky është një fakt tashmë. Veprim ky bazuar qartë edhe në opinionin nr. 361 të Komisionit të Venecias. Unë kam bindjen time të plotë që në një shtet të konsoliduar demokratik, zyrtarët e lartë nuk duhen mbrojtur kundër ndjekjes penale për vepra penale të kryera prej tyre. Ky është dhe do të mbetet thelbi i politikave të kësaj maxhorance. Politika, të cilat do të realizohen nëpërmjet mënyrave më të mira teknike dhe në përputhje me rekomandimet e institucioneve të specializuara për çështjet e kushtetutshmërisë, siç është Komisioni i Venecias”, u shpreh Halimi. Ai shprehu bindjen se kjo do të arrihet përmes ndryshimeve kushtetuese. “Unë kam bindjen se edhe kjo tryezë ne fund të saj do të arrijë në konkluzionin se mendimi i Komisionit të Venecias është absolutisht i drejtë, i saktë, ligjor dhe kushtetutës, dhe se zgjidhja e kufizimit të imuniteteve duhet të vijë jo nëpërmjet rrugëve dhe zgjidhjeve të vështira për t’u arritur, siç janë ndryshimet kushtetuese, por nëpërmjet rrugëve efikase dhe ligjore, ashtu siç dhe rekomandon Komisioni i Venecias”, u shpreh ministri i Drejtësisë.











