Imuniteti,Topi apel partive:Urgjent reformimi

Oct 18, 2011 | 11:00

TIRANË- Kreu i shtetit, Bamir Topi ka theksuar sot se vendi ka nevojë urgjente reformimin e imunitetit, jo vetëm si domosdoshmëri në kuadër të procesit të integrimit, per te luftuar korrupsionin, por që barazia para ligjit të mos jetë vetëm parim i vënë në Kushtetutë.

Në konferencën për kufizimin e imuniteteve, organizuar nga EURALIUS, Topi ka theksuar se takimi i dedikohet një teme shumë të rëndësishme dhe themelore për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë, sistemit të imuniteteve dhe reformimit të tij.

Sipas presidentit Topi, barazia para ligjit duhet të jetë e realizuar dhe sa më e prekshme. “Vende të tjera evropiane e kanë bërë vite më parë, le t’i bashkohemi atyre. Reformimi është nevojë për zhvillimin e vendit, synim që i shërben qeverisjes demokratike dhe transparente. Ka ardhur koha të dalim nga frazeologjitë, deklaratat dhe vendimarrjet e njëanshme, mendoj se dy proces duhet konsideruar si sfidë e gjithë partive dhe kërkohet vullnet i përbashkët, konsensus për reformën”- tha Topi.

Ai kërkoi që të gjendet sa më parë gjuha e përbashkët për të evituar që mosmarrëveshjet politike të ngadalësojnë diskutimet për imunitetet. “Vlerësoj se është e nevojshme që Kuvendi të fillojë nga puna që në dritën e reformave kushtetuese dhe rekomandimeve të propozojë ndryshimet e nevojshme për reformimin e imuniteteve në vend”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura