Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, e cilësoi dje imunitetin si nxitës të korrupsionit në politikë dhe në Gjyqësor.Spahiu tha se imuniteti ka shkaktuar pabarazi të theksuara të qytetarëve me politikanët dhe gjyqtarët, si dhe sugjeroi heqjen e tij te gjyqtarët. Deklarata e Spahiut u bë në punimet e një tryeze të rrumbullakët me temë “Heqja e imunitetit të deputetëve dhe gjyqtarëve”, të organizuar nga programi “Paka” i BE-së dhe KiE-së në Shqipëri. Në tryezë merrnin pjesë personalitete nga politika, media e Gjyqësori, mes të cilëve edhe kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Në fjalën e tij, nënkryetari i KLD-së, Spahiu, pohoi se imuniteti është shndërruar në pengesë për barazinë e ligjit mes shtetasve. “Imuniteti është shndërruar në një pengesë kushtetuese dhe barrierë për garantimin e parimeve universale të barazisë përpara ligjit të shtetasve shqiptarë. Imuniteti ka shkaktuar pabarazi të theksuara të qytetarëve me politikanët dhe gjyqtarët, duke i bërë ata pjesë të dorës së dytë në shoqëri dhe duke i bërë politikanët dhe gjyqtarët në një pjesë të privilegjuar dhe të paprekshme nga ligji. Kjo pabarazi duhet të shuhet përfundimisht, pasi ajo ka nxitur rëndë korrupsionin politik dhe atë gjyqësor”, u shpreh Spahiu. Në vijim, numri dy i KLD-së tha se do të angazhohej për të ofruar një zgjidhje të shpejtë për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve. “Si i zgjedhur nga Kuvendi, por dhe nga përfaqësuesit e Gjyqësorit në krye të këtij institucioni, më duhet të shpreh angazhimin dhe përgjegjësinë jo vetëm për të përçuar vullnetin e Kuvendit, por edhe për të afruar një qasje juridike dhe zgjidhje të shpejtë për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve, pavarësisht diversitetit të këtij diskutimi. Heqja e imunitetit të gjyqtarëve është çështje e ditës, pasi me dhjetëra iniciativa, kontrolle, inspektime nuk kanë eficiencë apo rezultat, pasi ato minimizohen në probleme disiplinore, duke pamundësuar në këtë mënyrë luftën kundër korrupsionit. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha kapacitetet tona në favor të këtij debati dhe gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë”, theksoi Spahiu. Në të njëjtat linja ishte dje edhe kryeprokurorja Rama, e cila pohoi se imuniteti është bërë disa herë shkak pengese për hetimet e personave që e gëzojnë atë. Edhe më herët, prokurorja e Përgjithshme është shprehur se e sheh të nevojshme reduktimin e imunitetit të gjyqtarëve.
Kërkesa e Prokurorisë
Pak kohë më parë, drejtuesit e Njësisë Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, bënë thirrje për kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve. Zyrtarët e Prokurorisë kërkuan kontributin e të gjithë faktorëve, me qëllim që imuniteti i gjyqtarëve të reduktohet, veçanërisht për rastet e hetimeve për akuzat e korrupsionit dhe abuzimeve të tjera në detyrë. Prokuroria deklaroi se sipas ligjit aktual nuk mund të kryejë përgjime dhe asnjë veprim tjetër hetimor ndaj gjyqtarëve të dyshuar për korrupsion, pa njoftuar më parë KLD-në dhe pa marrë miratimin e tij. Një procedurë e tillë në rastet e hetimeve për korrupsion, dëmton rëndë procesin, pasi cenohet sekreti hetimor nga marrja dijeni e shumë personave.
Prokurorëve iu hoq me ligj imuniteti
Të vetmit pa imunitet nga sistemi i drejtësisë, edhe pse në varësi të një organi të centralizuar, janë prokurorët. Me anë të një ligji që ndryshoi dhe më pas hyri në fuqi në vitin 2008, për ndryshime në ligjin për Prokurorinë, prokurorëve u është hequr imuniteti që kishin më parë. Për disa vepra penale dhe në disa raste, prokurorët mund të ndalohen apo të kontrollohen nga policia, ndërsa më parë imuniteti qëndronte në kërkesën që duhej bërë pranë prokurorit të Përgjithshëm dhe më pas në miratimin që i duhej dhënë kësaj kërkese.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











