ILDKP: Hetim 100 zyrtarëve për fshehje pasurie

Oct 27, 2011 | 11:02
Llalla dhe Redford

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është duke hetuar 100 zyrtarë të lartë, të cilët dyshohet se kanë fshehur pasuritë dhe janë në konflikt interesi. Këtë e bëri të ditur dje, në një prononcim për mediat, kreu i këtij inspektorati, Adriatik Llalla, i cili theksoi se zyrtarët që janë duke u hetuar janë të administratës qendrore dhe sistemit gjyqësor. “Momentalisht kemi në proces hetimi rreth 100 raste të zyrtarëve të ndryshëm, përfshi dhe ato të lartë, kryesisht të sistemit gjyqësor, Tatimeve e Doganave”, deklaroi Llalla në një prononcim për mediat, në përfundim të një takimi me përfaqësuesit e OSBE-së për korrupsionin. Kreu i Inspektoratit u ndal gjithashtu edhe te ndryshimi i ligjit për deklarimin e pasurive dhe konfliktin e interesit, i cili nuk është ndryshuar ende në Kuvend për shkak të krizës politike. “Nisur nga nevojat që kanë dy ligjet mbi bazën e të cilit ushtron veprimtarinë institucioni ynë, prej rreth 2 vitesh kemi bërë kërkesë për amendim të këtyre ligjeve, por ende nuk është formalizuar në Kuvend për shkak të mosfunksionimit normal të tij”, deklaroi Lalla. Nga përvoja e deritanishme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive rezulton se zyrtarët e lartë e fshehin pasurinë në rrethin e personave të tjerë të lidhur me ata. Gjatë kësaj periudhe ILDKP-ja ka gjobitur disa zyrtarë të lartë, përfshi ish-ministra dhe deputetë për deklarim të gabuar të pasurisë.

© Panorama.al

Te lidhura