Ikja e Ikonomusit, asnjë shërbim në Konsullatë

Oct 27, 2011 | 11:37
Teodoro Ikonomus

KORÇE – Konsullata greke në qytetin e Korçës ka mbetur në heshtje prej disa ditësh, pasi nuk është duke mundësuar asnjë shërbim për qytetarët. Pas largimit të konsullit grek Teodoro Ikonomus nga Konsullata e Korçës, si rezultat i përfundimit të mandatit të tij në të njëjtën ditë me mbylljen e procesit të censusit, Konsullata greke e këtij qyteti nuk kryen asnjë veprim në dokumentet e nevojshme për qytetarët. Të shumtë janë të interesuarit, të cilët kanë emergjenca për marrjen e dokumentacionit me firmën e titullarit apo personave të autorizuar, pasi prej 21 tetorit për këta qytetarë nuk ofrohet asnjë shërbim konsullor. Procesi i liberalizimit të vizave prej fillimit të tij ka ulur ndjeshëm aplikimet apo kërkesat e qytetarëve për t’u pajisur me viza, por ka edhe nga ata të cilët për efekt dokumentacioni duhet të presin disa prej shërbimeve konsullore. Prej dhjetorit e në vijim, para dyerve të kësaj konsullate të vetmit persona që qëndrojnë në pritje, janë ata të interesuar për marrjen e vizave 6-mujore, të cilat kërkohen nga autoritetet greke për marrjen e dokumenteve të qëndrimit në shtetin helen. Burime nga brenda konsullatës bëjnë me dije se pas largimit të Ikonomus asnjë prej punonjësve të kësaj konsullate nuk gëzon të drejtën për firmosjen, miratimin e dokumenteve apo edhe për realizimin e intervistave, në rastet kur qytetarët kërkojnë bashkimin familjar apo vizat me 100 ditë, të cilat shërbejnë për përfitimin e dokumenteve të qëndrimit në shtetin grek. Shkak duket se është bërë fakti se ish-konsulli Ikonomus, ndryshe nga çdo paraardhës i tij realizonte personalisht intervistat me qytetarët, të cilët kërkonin të merrnin viza të këtij lloji. Po të njëjtat burime konfirmojnë se punonjësi, i cili ka pasur detyrën e intervistuesit pranë kësaj konsullate, pas largimit të titullarit ka marrë leje dhe është larguar në drejtim të shtetit grek për një afat të shkurtër. Deri në fillim të muajit nëntor kur pritet edhe mbërritja e një diplomati të ri, i cili do të ushtrojë funksionin e titullarit në krye të Konsullatës greke në Korçë, për qytetarët nuk do të ofrohet asnjë shërbim konsullor, pavarësisht nevojave që ata mund të kenë.                   dh.d

© Panorama.al

Te lidhura