Ikën Mirel Josa, vjen Edi Martini

Oct 25, 2011 | 14:00

Mirel Josa shkarkohet nga pankina e Vllaznisë. Lajmi nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga drejtuesit e klubit shkodran, por mësohet se një gjë e tillë pritet të bëhet sot në një deklaratë për shtyp. Në vend të tij përflitet emri i Edi Martinit, i cili mund ta drejtojë skuadrën që në ndeshjen e ditës së nesërme në Kupë ndaj Bylisit. Josa kishte marrë drejtimin e Vllaznisë sezonin e kaluar pas largimit të malazezit Radonjiç. Si për ironi të fatit, ndeshja e parë e Josës me kuqeblutë ka qenë ndaj Flamurtarit, por në “Loro Boriçi” të Shkodrës, ku është mundur sërish 3-1. Gjithsesi vazhdoi në drejtim duke e çuar Vllazninë në Kupat e Europës. Por pas rezultateve negative të këtij fillim sezoni (tri humbje, dy fitore, 1 barazim), drejtuesit duket se kanë vendosur për largimin e teknikut dhe zëvendësimin e tij me Edi Martinin. Sakaq, dje bordi drejtues i KF Vllaznia doli me një deklaratë për shtyp, ku theksoi rëndësinë e arritjes së objektivave edhe pse skuadra nuk ka reaguar si duhet në këto javë të para të Superiores. Bordi bëri me faj stafin teknik, paçka se nuk dha asnjë sqarim nëse do merreshin masa apo jo ndaj tyre. Në mbledhjen e zhvilluar dje mori pjesë edhe administratori i klubit Kujtim Shaba, drejtori Armir Grima dhe trajneri Mirel Josa.

© Panorama.al

Te lidhura