Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shënjestroi Igli Tafën, i cili u emërua në krye të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke e cilësuar si një “kukull dhe vegël të klanit të Surrelit.”
Në konferencën e sotme për mediat, Berisha tha se Tafa qëndron pas tenderit 75 milionë eurosh që iu dha Armand Frangut, dhe se Rama kërkon ta mbajë me çdo kusht AKSHI-n për të vjedhur qindra miliona euro.
“Igli Tafa është një kukull, një vegël e klanit të Surrelit që do të mbajë me çdo çmim nga AKSHI, nga i cili kanë plaçkitur qindra e qindra milionë euro. Igli Tafa ka pasur një rrogë dy herë më të madhe dhe Edi Rama ka marrë përsipër t’i rregullojë rrogën.”, tha Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Në krye të kopshtit privat të tij, AKSHI-t, vendoset famëziu Igli Tafa. Çfarë përfaqëson Igli Tafa? Drejtorin e Sigurisë Kibernetike, i cili është edhe autori i tenderit 75 milionë euro për baxhon e Ramës apo për kunatin e florinjtë të Linda Ramës, në të cilën nuk vërtetohet asnjë punim, asnjë shpenzim, përveç plaçkitjes nga thesari i shtetit të 75 milionë eurove, nga të cilat transhi i fundit prej 25 milionë u lëvrua meurdhër direkt të Edi Ramës nga
Ministri i Financave një muaj më parë dhe unë e denoncova në këtë sallë, e denoncova edhe në parlament. Pra, Igli Tafa është një kukull, një vegël e klanit të Surrelit që do të mbajë me çdo çmim nga AKSHI, nga i cili kanë plaçkitur qindra e qindra milionë euro. Igli Tafa ka pasur një rrogë dy herë më të madhe dhe Edi Rama ka marrë përsipër t’i rregullojë rrogën.
Edi Rama po krijon tani AKSHI-n si sipërmarrje shtetërore private ku duart e zeza të klanit Rama nëpërmjet klanit Frangu shtrihen dhe e kapin plotësisht. Pra, Edi Rama nuk heq dot kurrë dorë nga vjedhja, është i gatshëm gjer minutën që do qëndrojë në pushtet, të vjedhë gjer në palcë qytetarët shqiptare.
© Panorama.al











