Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet akuzoi dje shtetin fqinj, Greqinë, se po përpiqet të manipulojë procesin e regjistrimit në Shqipëri. Kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi, përmes një konference për mediat, tha se dorëzimi i formularëve të fotokopjuar në Konsullatën Greke, dëshmon një gjë të tillë që është në kundërshtim me ligjin shqiptar. “Nga mënyra si po zhvillohet procesi në rrethe të caktuara, nga përfshirja e faktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë, në veçanti e Greqisë, ne jemi të mendimit se faktorët rajonalë, në veçanti Greqia, po luajnë me disa skenarë. Nëse të dhënat e procesit do të rezultojnë nën pritshmëritë e tyre, ato do të thonë se procesi është i manipuluar; nëse do të ketë të dhëna brenda pritshmërive të tyre, atëherë ata do ta pranojnë procesin. Këtë e tregojnë dhe qëndrimet e ndryshme të zërave brenda minoritetit, apo dhe angazhimi aktiv dhe i kundërligjshëm i konsullit grek në Korçë”, u shpreh Idrizi. Ai kërkoi largimin e konsullit grek në Korçë për këtë veprimtari që po zhvillon në Shqipëri. “Në lidhje me qëndrimet e këtij diplomati, të cilin Greqia e mbajti në detyrë me gjithë kundërshtimet e shtetit shqiptar pikërisht për të manipuluar procesin e censusit, ne bëjmë thirrje dhe njëherë që ai të nxirret sa më shpejt jashtë vendit si person i padëshiruar.
Ky njeri është duke shkelur ligjin shqiptar, është duke inkurajuar qytetarët shqiptarë të shkelin ligjin për censusin. Lajmet për fotokopjime të formularit dhe dorëzim të tyre në Konsullatën Greke të Korçës janë dëshmi e qartë e dhunimit të ligjit shqiptar për anonimitetin e deklarimeve”, u shpreh Idrizi. Sipas tij, përfaqësuesit e minoritetit që ankoheshin se gjoja amendamentet tona cenonin anonimitetin e deklaruesit, duhet të dinë se ky anonimitet nuk cenohet kur të dhënat personale mbeten përkohësisht brenda INSTAT-it. “Ato cenohen kur dorëzohen pranë një shteti të huaj. Ne u bëjmë thirrje organeve kompetente që të marrin gjithë masat e duhura që ky njeri të mos e zhvillojë veprimtarinë e vet antishqiptare”, u shpreh kreu i PDIU-së. Idrizi u kërkoi personave të angazhuar në procesin e regjistrimit që të bëjnë kujdes me shqiptarët që jetojnë në Greqi dhe vijnë për t’u regjistruar. “Ne u kërkojmë regjistruesve të bëjnë kujdes me regjistrimin e jorezidentëve. Ne besojmë se me jorezidentët që banojnë në Greqi mund të bëhen manipulime të mëdha, me dokumente të rreme, të siguruara në këmbim të pensioneve, të dokumenteve etj., etj. Ndaj ne u kërkojmë regjistruesve dhe autoriteteve kompetente të kenë udhëzime të qarta sa u takon jorezidentëve”, u shpreh Idrizi.
Dy ditë më parë, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, foli për regjistrim edhe të pronave të çamëve në shtetin grek. Por kjo ide është cilësuar nonsens nga Shpëtim Idrizi. “Shqiptarët e Çamërisë jo vetëm i dinë pronat, shtëpitë, lugët e pirunët që kanë lënë në atë gjenocid, por disa studiues aty duhet t’i kishin thënë atij personit se që në vitin 1946, në Konferencën e parë antifashiste çame, janë evidentuar të gjitha pronat e shqiptarëve të Çamërisë”, vijoi Idrizi.











