Tirane – “Për dëmin që më ke shkaktuar më detyrohesh 60 milionë lekë, ndryshe do të vras ty dhe familjen tënde”. Ky është teksti i një letre kërcënuese që i ka mbërritur me postë Haki Maçit, 51 vjeç, banues në Farkë të Tiranës. Ai ka bërë kallëzim në Komisariatin Nr.1 të kryeqytetit, ku ka dorëzuar letrën që i ka mbërritur me postë, si dhe ka treguar për konfliktet që ka pasur me persona të mundshëm që mund t’i kenë vënë gjobën 6 milionë lekë të rinj, duke e kërcënuar me jetën e tij dhe të familjes. Sipas burimeve nga Policia, lidhur me këtë ngjarje kanë nisur menjëherë hetimet dhe ka rezultuar që letra ka mbërritur nga Italia dhe personi që dyshohet ta ketë shkruar quhet Xhelal Filja, 51 vjeç, i cili tashmë është shpallur në kërkim. Nga të dhënat hetimore, Haki Maçi dhe Xhelal Filja kanë pasur një konflikt pronësie në vitin 2009, për shkak se Filja kishte ndërtuar një shtëpi në Farkë, që Maçi pretendonte se ndodhej në pronën e tij dhe i ishte pushtuar toka pa të drejtë. Pas konflikteve të vazhdueshme mes tyre, 2 vjet më parë Maçi pagoi një fadromist, i cili pa qenë i informuar se për çfarë shtëpie bëhej fjalë, e rrëzoi shtëpinë në tokë, por për këtë arsye u arrestua me akuzën e “shkatërrimit të pronës”. Menjëherë pas arrestimit, Maçi mori përsipër të gjithë përgjegjësinë dhe policia e la të lirë fadromistin. Ndërkohë, hetimi po vazhdon me akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes” për dhënien e pasurisë, pasi sipas Policisë, figura e veprës penale është plotësuar. Sipas Policisë, ngjarja e ka zanafillën disa vjet më parë kur kanë filluar përplasjet mes Maçit dhe të zotit të shtëpisë, Xhelal Filja. Maçi pretendonte se Filja i kishte pushtuar tokën dhe kishte ndërtuar shtëpinë në pronën e tij. Për këtë fakt, të dyja familjet kanë qenë në proces gjyqësor. Filja ndodhet aktualisht në Itali, ndërsa Maçi ka vetëm disa muaj që është liruar nga burgu, pas arrestimit në 2009-n për “dëmtim të pronës me dashje” dhe për “vetëgjyqësi”. e.d











