I operojnë zemrën, mjekët shpëtojnë foshnjën 7-ditëshe

Oct 19, 2011 | 11:55
Foshnja e operuar nga zemra

Të shohësh në sallën e operacionit një foshnjë në ditët e para të jetës, është më shumë sesa e rëndë. Aq më tepër, kur di se do  të ndërhyhet në një zemër që sapo ka nisur të rrahë. Për një prind limiti i ankthit, shpresës, frikës e shumë ndjesive të tjera të përziera bashkë, zor se arrihet më, në çfarëdolloj situate tjetër. Të gjitha shqisat, gjatë orëve të pritjes, janë të  përqendruara tek dera e sallës së reanimacionit, në pritje të daljes së mjekut. Kur ajo hapet dhe pëshpëritet fjalia:”Doli mirë”, edhe sikur t’u dhuronin gjithë botën, nuk do të kishte më  rëndësi. Këtë ndjesi kanë provuar prindërit e Beliza Beqos, foshnjës 7-ditëshe të operuar në spitalin “Nënë Tereza”. Për herë të parë, është kryer një operacion në zemër tek një bebe vetëm disaditëshe. Mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë kryer me sukses ndërhyrjen e rrallë. Belkiza Beqo quhet  vajza, e cila u soll me urgjencë nga Materniteti i Tiranës për diagnostikim sa më të shpejtë në QSUT. Përcaktimi i saj ishte i vështirë dhe kërkonte ndërhyrje të menjëhershme. Një staf i specializuar mjekësh u mblodh me urgjencë dhe pas konsultës u vendos që vogëlushja të futej urgjentisht në sallën e operacionit. Gjithçka për fat të mirë doli me sukses dhe Belkiza tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Gjatë një konference për shtyp, mjekët pediatër, kardiologë dhe kardiokirurgë, të cilët e kanë ndjekur, dhanë garanci se ndërhyrja e rrallë është një nga më të rëndësishmet e kryera deri tani në spitalin “Nënë Tereza”. “Ky ishte një nga ato operacione të cilat nuk presin, por që kërkojnë një ekip të specializuar të mjekëve. Është pikërisht stafi i kardiokirurgjisë, i cili ka kryer për herë të parë këtë ndërhyrje tek një fëmijë 6-ditësh, me një peshë 3 kg. Mbas këtij operacioni, në ditët në vijim, për kirurgët puna ka qenë mjaft intensive, pasi vetëm në 10 ditë janë realizuar 30 operacione tek fëmijët, duke filluar nga diagnozat më të lehta e deri tek ato më të vështirat”, tha drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku. Për kardiokirurgun Altin Veshti, kjo mbetet një nga ndërhyrjet e para të bëra në një moshë kaq të vogël të fëmijës. “Në Shqipëri kemi  një vit që kemi filluar ndërhyrjet te fëmijët brenda 30 ditëve të para të jetës. Ndërhyrja në fjalë ka shkuar shumë mirë, duke mos pasur probleme post-operatore, si nga ana kirurgjikale, ashtu edhe gjatë terapisë intensive. Ajo që dua të them, është se ky ishte fëmija më i vogël në moshë i operuar në Shqipëri, me zemër të hapur. Rezulton se është një nga ndërhyrjet me të komplikuara që bëhet në trupin e njeriut dhe unë dua ta them me krenari që këtë ndërhyrje e realizon vetëm QSUT-ja”,tha Veshti. Rreth 200 foshnja operohen çdo vit në pavijonin e kardiokirurgjisë në QSUT, si pasojë e defekteve të lindura në zemër apo në rrugët e qarkullimit të gjakut. Mjekët ngrenë  shqetësimin se shumë prej rasteve nuk kapen në kohe, ndaj kërkohet më shumë bashkëpunim me mjekët pediatër. “Këto vështirësi kanë të bëjnë me personelin, i cili duhet të jetë mjaft i përgatitur në të gjitha repartet ku lindin fëmijë, pasi këto raste mund të shërohen plotësisht”, thonë mjekët.

“Dërgojmë 3 foshnja në javë në kardiokirurgji”
Rastet e foshnjave me defekte në zemër në vendin tonë janë të shpeshta. Nga statistikat janë 7-8 fëmijë për 1000 lindje që shfaqin kardiopati. Kardiopediatrja Numila Kuneshka sqaron se diagnostikimi në kohë është i domosdoshëm.
Doktoreshë, mund të na thoni si u krye diagnostikimi i foshnjës dhe si u vendos për ndërhyrjen?
Në momentin e lindjes mjekët neonatologë kanë vënë re një cianozë (nxirje), duke e cilësuar si një problem shëndetësor. Brenda ditës, në orët e para të jetës, është bërë transporti për në QSUT, duke menduar për një problem të zemrës. Me diagnostikimin e bërë, rezultoi një problem i enëve të mëdha të gjakut, një diagnozë që kërkon ndërhyrjen kirurgjikale me urgjencë, brenda dy javëve të para të jetës. Si rezultat i bashkëpunimit me mjekët naonatalogë, por edhe me ekipin e kardiokirurgëve, u bë e mundur ndërhyrja kirurgjikale te ky fëmijë dhe shpëtimi i jetës. Sot, vogëlushja është në gjendje shumë të mirë shëndetësore.
Vajza tani do të ketë një jetë normale?
Pa diskutim. Ajo tani e ka kaluar periudhën post-operatore dhe do të vijojë normalisht jetën. Por, duhen konsulta të herëpashershme, që nevojiten për të parë ecurinë.
A janë të shpeshta rastet e defekteve të lindura në zemër që ju diagnostikoni?
Normalisht, sipas statistikave, rezulton se për 1000 lindje, 7-8 fëmijë kanë defekte në zemër. Pra, vijnë në jetë me këto probleme. Në këtë grup bëjnë pjesë nga defektet më të lehta tek ato më të rëndat. Po kështu është përmirësuar edhe trajtimi kirurgjikal. Rreth 80 % e defekteve kërkojnë trajtim kirurgjikal”, ka pohuar Kuneshka. Pas diagnostikimeve që ne kryejmë, dërgojmë në kardiokirurgji 3 fëmijë në javë. Atje kryhet operacioni dhe pastaj fëmija rikthehet këtu për t’u ndjekur nga ne sërish. Nuk mund të them që ka një rritje të rasteve, por mund të them që është rritur niveli i diagnostikimit. Nëse më parë fëmija mund të humbte jetën i padiagnostikuar, tani këto raste janë minimizuar shumë. Aparaturat janë më të sofistikuara, stafi i mjekëve gjithashtu. Por, pavarësisht kësaj, prindërit duhet të jenë të kujdesshëm, të mos neglizhojnë probleme të tilla.

Prindërit: E ka jetë të dytë
Prindërit e Belkizës kanë falënderuar stafin e bluzave të bardha për ndërhyrjen e rrallë. Ata e kanë cilësuar si “jetë të dytë” atë të së bijës pas operacionit. “Nëse nuk do të ishte operuar, atëherë edhe mund ta humbnim. Falënderojmë mjekët që ndërhynë në kohë. Sot, vajza jonë jetën e ka prej tyre”, thanë dje prindërit e Belkizës. Sipas tyre, vajza tani është mirë, duhet të bëjë kontrolle periodike siç ka kërkuar stafi i mjekëve. “Një herë në disa muaj duhet ta risjellim në spital për të bërë analizat, por janë gjëra rutinë”, thanë prindërit.

Statistikat, 400 fëmijë me probleme në zemër
Defektet kardiake janë një ndër shkaqet e vdekshmërisë foshnjore në vendin tonë. Nga të dhënat më të fundit, raportohet se në 50 mije lindje në vit, 400 prej tyre vijnë në jetë me probleme në zemër. Sipas specialisteve, nëse ato do të kapeshin më herët, shanset për shërim të plotë do të ishin shumë të mëdha, ndërsa edhe vdekshmëria si rezultat, do të ishte në përmasa më të vogla. Shumë raste kapen me këto defekte vetëm kur janë në një fazë mjaft të përparuar.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura