TIRANE – Ka vetëm dy muaj që është liruar nga burgu, ku vuajti dënimin për vjedhje, dhe i është kthyer sërish “punës”, duke kryer brenda pak ditësh 8 vjedhje në Tiranë. Sipas burimeve nga Policia, në të gjitha rastet mekanizmi i vjedhjeve është i njëjtë. Autori, që sipas burimeve vepron i vetëm, i ruan personat që shkojnë në bankë për të tërhequr para, kryesisht ata që lëvizin me makinë. Kur shoferi futet në bankë, ai i shpon gomën e automjetit dhe më pas, vetë ose nëpërmjet personave të tjerë, i lajmëron që u ka rënë goma. Ky është momenti kur i dyshuari nis të kryejë vjedhjen, pikërisht fragmenti prej pak minutash kur drejtuesi i mjetit zbret për të ndërruar gomën e rënë. Në rastin e fundit, para tri ditësh, rezulton të ketë vjedhur 7 milionë lekë të vjetër nga makina e një tregtari, pak minuta pasi ai i kishte tërhequr nga banka. Sipas burimeve nga Policia, ngjarja më e fundit ka ndodhur pranë një banke, në një degëzim mes Rrugës së Durrësit dhe rrugës “Mine Peza” në kryeqytet. I dyshuari është filmuar nga kamerat e sigurisë së bankës, të cilat janë sekuestruar nga policia dhe nëpërmjet tyre është identifikuar autori i ngjarjes, që sipas burimeve, quhet Klajdi, por për arsye hetimore nuk mund të bëhet i ditur edhe mbiemri i tij. Pamjet janë krahasuar edhe me disa filmime të tjera, në distancë më të largët dhe sipas policisë rezulton të jetë i njëjti autor. Burime nga grupi hetimor thanë se 7 nga vjedhjet janë denoncuar në Komisariatin Nr.3 dhe një tjetër në Komisariatin Nr.1, për një vjedhje të ndodhur pranë Pallatit të Kulturës. Mësohet se kanë nisur hetimet me vënien në zbatim të metodave speciale, në mënyrë që i dyshuari të arrestohet në flagrancë. Për këtë arsye ende nuk është ndaluar, edhe pse tashmë është i identifikuar.











