Hysi e Gjiknuri, negociata me PD për reformën zgjedhore

Sep 13, 2011 | 10:32
Gjate nje mbledhjeje te grupit parlamentar te PS

Deputetët socialistë Vasilika Hysi dhe Damian Gjiknuri janë mandatuar nga lidershipi i PS për të nisur negociatat për reformën zgjedhore. Kjo u bë e ditur dje gjatë fjalës që Edi Rama mbajti para deputetëve socialistë në nisje të mbledhjes.“Theksuam domosdoshmërinë e mospërsëritjes së farsave elektorale të vitit 2009 e të majit 2011 në Tiranë dhe angazhimin tonë për një reformë zgjedhore që të adresojë të gjitha rekomandimet e bëra në raportin e qartë të OSBE/ODIHR-it. Në këtë drejtim, i kërkoj Grupit Parlamentar të mandatojë deputetin Damian Gjiknuri dhe deputeten Vasilika Hysi për të diskutuar me palën tjetër lidhur me metodologjinë e punës për këtë reformë themelore”, u shpreh Rama. Sipas kryesocialistit, “reforma zgjedhore s’mund të nisë me ngritjen formale të një komisioni parlamentar, pa pasur paraprakisht një hartë konsensuale veprimi dhe një kalendar të miratuar bashkërisht për të gjithë hapat deri në miratimin e ndryshimeve të nevojshme me transparencë të plotë ndaj të gjitha partive parlamentare e joparlamentare e ndaj vetë publikut shqiptar”. Duke folur për rolin që do të luajnë dy deputetët socialistë për të përgatitur punën dhe axhendën e komisionit të posaçëm, Rama theksoi se edhe kësaj radhe reforma zgjedhore do të jetë bipartiake, mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. “Të dy deputetët duhet të organizojnë thithjen e mendimeve nga grupi, nga baza e Partisë Socialiste, nga forcat aleate të Opozitës së Bashkuar dhe nga shoqëria civile. Karakteri bipartizan i komisionit parlamentar të reformës zgjedhore s’duhet të cenojë lirinë e të drejtën e pjesëmarrjes në proces të asnjë aktori e faktori politik e qytetar të interesuar për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri”, u shpreh Rama. Dy deputetët do të nisin kontaktet e tyre menjëherë, për të përgatitur në fund një draft me të cilin do të shkohet tek Partia Demokratike me të cilët do të negociohet para se të ulen në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Por, një reformë bipartizane bie ndesh me kërkesat e aleatëve të majtë dhe të djathtë në të dyja kampet, të cilat kanë kërkuar gjithëpërfshirje në këtë reformë, madje dhe në administrimin e zgjedhjeve të ardhshme, e jo vetëm në diskutimin e Kodit të ri Zgjedhor.

Ruçi: Ka kohë për reformën
Në konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare, të thirrur nga kryetarja Topalli, para nisjes së sesionit të ri parlamentar, përfaqësuesit e opozitës nuk ishin dakord që të nisnin punën me reformën zgjedhore. Në fund të diskutimit për kalendarin trejavor të punimeve, por dhe të programit dymujor të Kuvendit, rendin e ditës të seancës së parë të Parlamentit, kryetarja e Parlamentit  u kërkoi mendim pjesëmarrësve se si do të veprohet me reformën zgjedhore dhe komisionin e posaçëm parlamentar për këtë reformë. Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, nuk e mbështeti ngritjen e këtij komisioni, duke thënë se “ka kohë për komisionin parlamentar, ndërsa Kuvendi duhet të veprojë me rendin e ditës”.

Ermelinda Meksi: Draft për Parlamentin
“Opozita po punon për të prezantuar një draft-alternativë për rregulloren parlamentare, e cila synon të adresojë me prioritet çështjet integruese, duke pasur një frymë gjithëpërfshirjeje, por duke kërkuar edhe një transparencë të buxhetit dhe në mënyrë të veçantë shqetësimet buxhetore, që sot janë një shqetësim shumë i  madh për Shqipërinë, por edhe për Europën dhe Amerikën në kushtet e krizës globale, duhet të përdoren me efektivitet në rastin konkret në mënyrë të posaçme në problematikën integruese”, u shpreh dje deputetja socialiste.

Paskal Milo
“Ne mendojmë që Kodi Zgjedhor ka nevojë për ndryshime cilësore, me qëllim që ai të zhvishet nga fryma e tij në shërbim të dy partive të mëdha. Ky duhet të jetë boshti dhe jo futja e neneve që garantojnë supermacinë paraelektorale të dy partive të mëdha dhe favore të pamerituara elektorale. Nëse dy partitë e mëdha do të bëjnë ndryshime të stilit të vjetër, ku më shumë do mendojnë se si të garantojnë dhe çimentojnë bipolarizmin në politikën shqiptare dhe të merren vesh me njëri-tjetrin, siç janë marrë vesh në të kaluarën, atëherë nuk do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme”, është shprehur kreu i PDS-së.

Skënder Gjinushi
“PSD vlerëson se është koha për një qëndrim të qartë dhe të vendosur opozitar. Shqipërisë i duhet një zgjidhje e plotë politike dhe një veprim real opozitar. Nuk është veprim opozitar fakti që, sa herë ka një skandal qeveritar, flitet për reformim të PS-së dhe jo të PD-së. Kërkohet dorëheqje e gjithkujt në Partinë Socialiste, por jo e qeverisë dhe Sali Berishës që, sa herë dështon qeveria apo bën skandalin e radhës, siç ishte masakra e Tiranës, opozita ofron reforma për të shpëtuar qeverinë, por jo Shqipërinë. Reforma e vetme me një qeveri të dështuar është largimi i saj”, është shprehur Gjinushi.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura